Takimi Trump-Kim, Rusia bëhet “xheloze”

schedule13:27 - 12 Qershor, 2018

schedule 13:27 - 12 Qershor, 2018

Rusia e ka komentuar me shumë skepticizëm samitin mes Trump dhe Kim Jong-un të zhvilluar në Singapor. Ndërsa Koreja e Jugut, Kina dhe Japonia kanë përshëndetur takimin mes liderëve të dy vendeve.

Rusia nuk e ka pritur me shumë entuziazëm takimin mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Duke dashur gjithmonë rolin e protagonistit, Kremlini shprehet shumë skeptik sa i përket samitit. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, përshëndeti takimin, megjithatë tha se nuk ka parë asnjë document të asaj që është nënshkruar. Kurse më herët më i ashpër ishte reagimi i zëvendësit të tij.

“Nuk mundet të mos e presim në mënyrë pozitive hapin e rëndësishëm përpara të ndërmarrë, edhe pse djalli qëndron në detaje”, u shpreh Sergei Rijabkov.

Më tej ai nënvizoi se “sëbashku me Kinën synojnë të rikthejnë formatin e negociatave me 6 anëtarë të Fuqive të Mëdha”.

Edhe Pekini ka përshëndetur samitin mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut. Ndërsa është pyetur nga gazetarët, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Kinës ka thënë se Rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të rregullohen, duke hequr disa masa ndëshkuese në mënyrë që të mbështetet eleminimi i arsenalit bërthamor.

“Kina mbështet qëndrimin se sanksionet nuk janë qëllimi kryesor”, u shpreh Geng Shuang.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i cili ndoqi samitin nga Seuli, ofroi urimet e tij më të përzemërta dhe përshëndeti suksesin e samitit historik.

“Bëj komplimentet e mija për guximin dhe përkushtimin e dy liderëve, presidentit Trump dhe udhëheqësit Kim, që nuk qëndrojnë me realitetin e skaduar dhe të zakonshëm por ndërmarrin hapa të guximshëm përpara për ndryshim”, u shpreh ai.

Ndërsa nënvizoi se marrëveshja e arritur në Singapor ndihmon në shkatërrimin e trashëgimisë së fundit të mbetur të Luftës së Ftohtë në botë.

Gjithashtu samiti është përshëndetur edhe nga kryeministri japonez, Shinzo Abe, i cili kryesisht falenderoi presidentin amerikan. Ndërkohë, asnjë lider i Bashkimit Europian nuk ka komentuar zhvillimet në Singapor. Ndoshta kjo heshtje paksa e çuditshme ka lidhje me përplasjet në samitin e G7-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!