Interi i tij u mposht në derbi nga Milani dhe për trajnerin Antonio Conte skuadra e tij bëri një paraqitje të mirë. Sipas tij u mungoi vetëm finalizimi, pasi nëse do kishin shënuar më shumë do të flitej për një tjetër skuadër. Pengu i tij janë mënyra se si Interi i pësoi golat kundër Milanit.
“Mendoj se kemi luajtur shumë mirë, krijuam raste për gol dhe disa herë fati nuk ishte me ne. Sigurisht është zhgënjyese, sepse djemtë u përpoqën dhe besuan se mund të fitonim. Ishim të shpërqendruar, pasi bëmë dy gabime te golat e tyre. Gjithsesi kishim mundësi të barazonim. Në fund Milani fitoi dhe kështu që i përgëzojmë ata.
Çdo ndeshje duket se krijojmë shumë raste dhe duhet të jemi më gjakftohtë para portës. Në të njëjtën kohë nuk mund të ankohem për sjelljen e djemve në fushë, pasi bënë gjithçka që të paktën të merrnim një pikë”, tha fillimisht Conte pas ndeshjes.
MBROJTJA – “Ivan Perisic po punon shumë në aspektin mbrojtës dhe jam i kënaqur me të si mbrojtës i pestë i krahut. Hakimi gjithashtu po paraqitet mirë, por duhet ekuilibër dhe duhet ruajtur. Kolarov qendërmbrojtës? Aty luan edhe me kombëtaren e tij dhe ndjej se për momentin ai është roli i duhur për të.
Të dy golat ishin të evitueshëm, kjo është e sigurt. Ne kemi luajtur mirë, kemi krijuar shanse dhe nëse do të kishim finalizuar më shumë prej rasteve të krijuara, atëherë njerëzit do të flisnin për Inter impresionues në çdo aspekt. Në vend të kësaj po flasim për një humbje dhe më e keqja për një të tillë në derbi”, mbylli tekniku i Interit. /abcnews.al