Nga Enkeleda Bodini
Të jesh psikolog, është një profesion i vështirë, i cili më shumë sesa punë, do që ta kesh pasion, që ta realizosh si duhet. Shpesh, psikologët përballen me situata jo të lehta, të cilat duket se ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në jetën e tyre, duke lënë shije të ndryshme.
Ajo që të gjithë jemi kuriozë është të dimë sesi është realisht jeta e një psikologu. Për këtë arsye, abcnews.al ju ka sjellë sot historinë e psikologes së njohur Enertila Bekteshi.
Ajo prej 10 vitesh ushtron profesionin si psikologe klinike dhe shumë shpesh e kemi parë në ekranet televizive, duke dhënë këshilla për situata të veçanta, por edhe për situata emergjente si ajo e pandemisë apo tërmeteve.Këtë herë ajo vjen ndryshe, duke rrëfyer historinë e saj dhe jetën si psikologe.
Enertila Bekteshi ka lindur në Berat, ka mbaruar studimet e larta për Psikologji në Universitetin e Shkencave Sociale. Menjëherë pas mbarimit të studimeve të larta ka punuar në Bashkinë e Tiranës, në Drejtorinë e Kujdesit Social, periudhë të cilën e quan shkollë të dytë, pasi e ka ndihmuar shumë në formimin e saj profesional. Për t’u ndjerë e kompletuar Enertila përfundoi dhe studimet Master si dhe Doktoraturën në Institutin e Studimeve Europiane.
Përsa i përket profesionit të saj si psikologe, Enertila ka 10 vite që e ushtron rregullisht dhe si duket nuk ka ndërmed ta lërë kurrë pasi e bën me shumë pasion.
“Është interesante në këto kohë që jetojmë të bësh punën e psikologes. E kam bërë prej 10 vitesh dhe do të vazhdoj ta bëj, sepse për mua është privilegj dhe kënaqësi e vençantë t’u jap zgjidhje dhe shpresë njerëzve”, thotë Enertila.
Që në fillim të bisedës, ajo sqaroi se kishte zgjedhur Psikologjinë sepse e kishte ëndërr, e kur flasim për ëndrra të realizuara, gjithçka bëhet më e bukur.
Të bësh punën që gjithmonë ke aspiruar dhe ëndërruar prej në vegjëli, nuk është pak, sepse në mëngjes nuk zgjohesh me arsye për të mos shkuar në punë, por me dëshirë që të shkosh e të bësh atë që do. Dëshira për të shkuar në punë, -thotë Enertila- është shpesh e ngjashme me dëshirën e ditës ku duhet të zgjohesh herët për të shkuar në një udhëtim që e pret prej kohësh.
Kështu nis dhe dita e saj, me entuziazëm dhe energji pozitive, për të ndihmuar të tjerët, sepse në fund të fundit, e tillëështë psikologjia, t’i japësh tjetrit kurajon se çdo gjë do të shkojë mirë. Dhe më e rëndësishmja, t’i rrisësh vetëbesimin, që për një arsye apo një tjetër, bie.
“Gjëja më e bukur që marr nga puna është besimi i njerëzve për të më treguar pjesën e tyre të jetës, që mbase askush përveç tyre nuk e di. Ata në një farë mënyre më besojnë jetën e tyre, dhe kjo është një përgjegjësi e madhe, por edhe nder për mua. Puna që bëj me njerëzit për kaq shumë vite kam ndihmuar njerëz me problematika nga më të ndryshmet dhe kur shoh përmirësim te ta, kënaqësia që merr është e papërshkrueshme me fjalë”, tha Enertila për abcnews.al.
Sado të mundohesh ta shmangësh, është e pa evitueshme që profesionin mos ta ushtrosh edhe përtej zyrës. Enertilës i ndodh shpesh herë të jetë në rolin e këshillueses për miqtë dhe familjen e saj. Ajo tregon se jo rrallë herë ata kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre dhe është gjithmonë e gatshme t’i ndhmojë, duke i udhëzuar në mënyrë profesionale.
Mbase mund t’ju duket si një punë rutinë, por nuk është kështu. Dita e një psikologu, nuk ngjan asnjëherë me tjetrën. Kurrë nuk është e njëjtë, pasi pacientët janë të ndryshëm dhe secili ka një histori unike për të rrëfyer.
Për të, jeta si një psikologe është e bukur, edhe pse ndonjëherë për profesionin e saj ka marrë komente dhe reagime jo të këndshme.
Përveçse psikologe, Enertila është dhe pedagoge për lëndën “Psikologji Edukimi”. Po ashtu ka dhe një sërë angazhimesh të tjera profesionale. Dita e saj është shumë aktive, por gjithmonë gjen kohë për familjen e saj. Ajo është nënë e dy vajzave, për të cilat kujdeset në mënyrë të veçantë duke i edukuar dhe këshilluar, që në të ardhmen të jenë të zonja të vetes, siç është dhe vetë.
Enertila gjithashtu ka pasion udhëtimet, të cilat tashmë janë bërë pjesë e pandashme e jetës së saj. Të vizitojë të gjithë qyteteve të Shqipërisë dhe eksplorimi i natyrës janë pasioni i dytë më i madh për të.
Siç mund ta shikoni, jetët e njerëzve nuk përcaktohen nga profesioni. Të gjithë kanë një histori për të treguar, përtej punës që bëjnë. Këtë bëri Enertila, rrëfeu jetën e saj jo vetëm si psikologe, por në të gjitha aspektet.
Këshilla e saj për të gjithë ju që po e lexoni këtë artikull është, të gjeni kush është ëndrra juaj, të vendosni qëllime dhe t’i arrini ato. Sa më parë të gjeni çfarë doni të bëni në jetë, aq më shpejt do jeni të lumtur./abcnews.al