Bisedimet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian për marrëveshje tregtare pas Brexit, kanë “përfunduar”, ka deklaruar qeveria britanike.
Sipas qeverisë, “nuk ka kuptim” që të vazhdohen bisedimet, vetëm nëse BE-ja përgatitet që të diskutojë dokumentin ligjor të detajuar të partneritetit.
Ndërkohë të dyja palët kishin rënë dakord të diskutonin përsëri javën e ardhshme. Presidentja e Komisionit të BE Ursula von der Leyen shkroi në Twitter se ekipi negociator i Brukselit do të shkojë në Londër pas fundjavës për të biseduar rreth marrëveshjes.
Kryeministri kishte deklaruar se samiti i kësaj jave i BE-së do të ishte afati i fundit për të dyja palët për të rënë dakord për një marrëveshje. Ndërkohë Boris Johnson tha se vendi duhej “të bëhej gati” për të vazhduar tregtinë vitin e ardhshëm pa një marrëveshje.
Ai tha që BE-ja nuk ishte e gatshme të merrte parasysh opsionin e preferuar të Britanisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë bazuar në marrëveshjen ekzistuese të bllokut me Kanadanë./abcnews.al