Kërcënimet e serbëve dhe pengu i madh, Ballist Morina thyen heshtjen

schedule09:05 - 14 Tetor, 2020

schedule 09:05 - 14 Tetor, 2020

Ballist Morina u kthye në hero për shqiptarët dhe në armik për serbët, kur vendosi që më 14 shtator të vitit 2014 të ngrinte një dron mbi stadiumin e Beogradit ndërkohë që Shqipëria përballej me Serbinë. “Autochthonous”, me hartën e Shqipërisë Etnike dhe figurat kombëtare Ismail Qemali e Isa Boletini, u mbrojt nga lojtarët e kombëtares shqiptare dhe në stadium pati përleshje. UEFA vendosi më pas që Shqipëria të merrte tre pikët dhe më pas edhe të kualifikohej për herë të parë në EURO 2016. Historike!

Ballist Morina u kthye në një hero, por jeta e tij ndryshoi. Tani po përpiqet të rikthehet në normalitet dhe po jeton në Itali, aty ku punon në sektorin e autotransportit. Gjatë kësaj periudhe ai e pranon se ka pasur kërcënime në drejtim të tij. Kjo ndodh sa herë “Autochthonous” rikthehet në skenë. “Ka ndodhur, sidomos në rastin e fundit kur Dua Lipa postoi ‘Autochthonous’ në profilet e saj në rrjetet sociale”, tregon Ballisti në një intervistë për “Panorama Sport”.

Kërcënime ka pasur edhe në një moment tjetër, që tregohet nga Morina: “Edhe në rastin kur një gazetar anglez (James Montague) botoi para pak kohësh një libër (“Among the Ultras”) mbi tifozëritë nëpër botë dhe ku i kishte dedikuar një kapitull të tërë veprës Autochthonous”. Ky libër është botuar edhe në Serbi dhe aty mediat kanë botuar disa fragmente në lidhje me tregimet e mia në libër apo përshtypjet e autorit mbi mua dhe mbi veprën “AUTOCHTHONOUS” e kështu me radhë.

 

Menjëherë kam marrë kërcënime me vdekje nga profile false dhe jo false në rrjete sociale. E vërteta është se asnjëherë që kur kanë filluar këto kërcënime në 2014-ën dhe deri sot nuk i kam denoncuar në organet ligj-zbatuese, as në Shqipëri, as në Itali. Nuk e kam bërë për faktin e thjeshtë që asnjëherë nuk kam pasur besim në punën e tyre. Gjithsesi duhet të jetojmë me një jetë të tillë dhe ç’është e vërteta që para ngjarjes i kisha parashikuar këto efekte negative”.

Ballisti e thotë hapur që do ta ribënte sërish atë gjë, nëse do të kthehej pas në kohë. “Nuk imagjinoja dot që djemtë tanë të ngeleshin jetimë në atë 90-minutësh dhe vendosa të isha i 12-ti lojtar ashtu siç e kam bërë gjithmonë vetëm se këtë radhë i kaloi premisat e lojtarit të 12-të. Kështu që për mua është e pakonceptueshme të mohoj apo të paktën në nivelin mental të pohoja: ‘Jo, nuk do ta ribëja një gjë të tillë!’. Përgjigjja është: ‘Po! Do ta ribë- ja me të njëjtin pasion, vendosmëri dhe krenari që e kam bërë atëherë!”.

Në intervistën e dhënë Ballisti tregon se një ditë do të shkelë sërish në Serbi, ndërkohë që tregon edhe një peng të madh që ai ka. “Pengu i jetës sime është që të kisha luajtur qoftë edhe një minutë, në një ndeshje zyrtare me fanellën e Kombëtares. Në moshë të re, kur kam qenë gjimnazist, kam qenë shumë premtues në futboll, por fatkeqësisht mora rrugët e mërgimit si shumë moshatarë të mi të asaj kohe dhe kështu u shua gjithçka”, tregon Ballist Morina. /abcnews.al