Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi e ftuar në studion e ABC News me gazetarin Endri Xhafo foli për objektivat e LSI në zgjedhjet e 25 prillit por edhe për deklaratat e kryeministrit Rama dhe të kreut të Demokratëve Lulzim Basha.
Sipas Kryemadhit, Deklaratat e kryeministrit Rama në lidhje me fermerët, të cilët u njoftuan sot se do të marrin naftën pa akcizë, dhe pa taksa, janë mashtrime, sepse nëse do të ishin të vërteta, Rama do e kishte realizuar këtë premtim deri më tani, që sipas saj, është bërë që prej 2013-ës.
Endri Xhafo: Ka patur 2 konferenca për shtyp, një e kryeministrit dhe një nga kreut të opozitës. Fermerët janë njoftuar sot se do të marrin naftën pa akcizë, pa taksë karboni, dhe pa taksë qarkullimi, është lajm i mirë apo lajm i keq?
Monika Kryemadhi: Mashtrim. Po të dëgjojmë sot gjithë reagimet e kryeministrit kemi premtimet e 2013-ës, ku thotë se do jepte 240 milion euro subvencion, do hiqte akcizën e naftës etj. është fitim kohe sepse nuk ka për ta bërë. E thotë tani që ti lërë mundësi njerëzve të vet të dalin në terren të takojnë njerëzit sepse ata nuk po e bëjnë dot këtë gjë. Drejtuesit e Rilindjes nuk po arrijnë dot të takojnë strukturat e Partisë Socialiste në terren, qeveritarët nuk po arrijnë dot të kontaktojnë dhe të kenë një komunikim njerëzor me qytetarët por mbi të gjitha me anëtarët e partisë Socialiste për shkak të degradimit të marrëdhënies që midis Rilindjes, qeverisjes dhe votuesve të Partisë Socialiste që për hir të së vërtetës kanë qenë votues tradicional të partisë që tashmë janë duke u rrudhur. Rama nuk ka për ta mbajtur këtë premtim, sepse i ka patur mundësitë për ta bërë këtë gjë deri tani, dhe nuk e ka bërë. Rama i ka çuar subvencionet në bujqësi as 8 milion euro për shkak sepse ai punën në bujqësi e quan një punë të rëndomtë. Përfituesit e fondeve IPARD nuk janë fermerët por oligarkët.
Për sa i përket deklaratave të kreut të partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili theksoi se kapacitetet mjekësore kanë shteruar, Kryemadhi e cila ndan të njëjtin mendim me liderin e demokratëve, u shpreh se shkak i kësaj mungese, vjen pasi ka munguar suporti ndaj mjekëve, nga Ministria e Shëndetësisë, dhe kanë munguar gjithashtu edhe pajisjet mjekësore.
“Ajo që thotë Basha janë kapacitetet njerëzore të cilat kanë shteruara. Ne kemi kaluar edhe epideminë e gripit të derrit, nuk kemi patur vdekshmëri të lartë dhe nuk kishim rënie të ekonomisë. Kanë shteruar kapacitetet njerëzore për shkak të largimit të mjekëve. Kapacitetet e munguara vijnë si rezultat i mungesës së suportit që duhet të japë ministria e shëndetësisë ndaj mjekëve dhe infermierëve. Si mund të ketë kapacitet spitalor me mjek dhe infermierë të cilët nuk kanë dorashka, nuk kanë mjete mbrojtëse. Nëpër qendra shëndetësore u thuhet mjekëve të përdorin çarçafë të vjetër apo garza, apo alkool për dezinfektant. U thuhet ti blejnë me paratë e tyre, ku rroga e një mjeku sot është 48 mijë lek”, tha ajo.
Për sa i përket shtimit të shifrave të infeksionit të Covid-19, Kryemadhi shprehet se qeveria po bën pak testime, dhe se Kryeministri nuk ka qenë koherent në deklaratat e tij për situatën epidemike në vend.
“Nuk jam mjeke dhe nuk merrem me menaxhimin epidemive. Me sa kam dije për këtë çështje mendoj se rastet shtohen sepse do t’i shtojë qeveria, por nuk është problemi që rastet shtohen. Problemi qëndron se sa testime bën qeveria, në mënyrë të tillë për të menaxhuar jo vetëm në origjinë shpërndarjen e virusit, por për të menaxhuar edhe shëndetin. Kryeministri ynë u bë mjek, laborant në facebook”, u shpreh ajo.
Më tej në bisedën me gazetarin Xhafo, Kryemadhi ritheksoi se nuk do të mbante maskë, edhe pse ajo është e detyrueshme që pas 15 tetorit ndërsa tha versionin e saj se përse është marrë ky vendim nga qeveria.
Endri Xhafo: A mund të bëjmë ne të gjithë sadopak për të ulur numrin e infeksioneve pavarësisht atyre që bën qeveria, keni deklaruar dje se nuk do mbani maskë…
Monika Kryemadhi: Po, ju mendoni se maska ndalon covid-in në rrugë? Dhe ju do rrini në lokal dhe bare restorante pa maskë? Absurditet, maska përdoret ku njerëzit qëndrojnë në afërsi me njëri tjetrin.
Endri Xhafo: Drejtori i Policisë së Shtetit ka deklaruar se mbajtja e një maske me detyrim ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infeksionit, pse duhet ta vëmë në dyshim fjalën e Z. Veliu?
Monika Kryemadhi: Nuk dua të merrem me z. Veliu sepse ai urdhërohet nga Rama. A mos zoti Rama kërkon që njerëzit të mbajnë maskë në mënyrë të tillë që të lejojë kriminelët të ecin në rrugë të lirë?
Ka dy rrugë që shpjegojnë devotshmërinë e tij kaq të madhe: ose ai po bën një tender shumë të madh që shqiptarët të shkojnë të blejnë maska ose ai kërkon që kriminelët të dalin të lirë në rrugë. Ose tjetër kërkon që gjithë studiot televizive të merren me maskat dhe jo me varfërinë e njerëzve, që nuk ka punë etj.
Kryemadhi ka folur edhe për objektivat e LSI për të cilat i përmblodhi me një fjalë, të cilat kanë sloganin: Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve.
“Rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri, i trurit që prej kohësh është larguar, sjell vlerë të madhe edhe meritokracie edhe përfshirje profesionalizmi. Resurset njerëzore të domosdoshme pa dallime politike. Objektivi ynë nuk është thjesht garë votash por përfshirja e sa më shumë njerëzve në këtë front. Problemi më i madh sot është se një intelektual apo një biznesmen largohet nga Shqipëria ikën sepse nuk garanton dot shkollën e fëmijës dhe shërbimin shëndetësor. Objektivat e LSI është që shqiptarët të jenë të lumtur në Shqipëri. Objektivi ynë është i realizueshëm sepse bashkëpunimi ynë me Partinë Demokratike ka një pikë të përbashkët që ka të bëjë me angazhimin dhe përfshirjen të të gjithë individëve të cilët kanë vlera jo vetëm në ekonomi, por edhe në politikë etj. LSI ka një angazhim dhe një fokus të fortë tek rinia”, u shpreh ndër të tjera Kryemadhi.
n.d./abcnews.al