“COVID-19 nuk prek njësoj”, epidemiologu: Gjenet mbushin armën, stili i jetesës shkrep këmbëzën e saj

schedule21:15 - 12 Tetor, 2020

schedule 21:15 - 12 Tetor, 2020

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka analizuar situatën e koronavirusit në vend.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin social “Facebook” epidemiologu sqaron ndryshimet që pëson koronavirusi, si edhe format me të cilat ai paraqitet.

Alimehmeti rithekson se prej muajsh është vënë re se COVID-19 nuk i prek të gjithë njësoj.

Ai shpjegon se në një familje ku disa pjesëtarë kanë rezultuar të infektuar ka pasur dhe nga ato raste ku anëtarë të tjerë nuk janë prekur.

Sakaq epidemiologu thekson se prej muajsh ekipe të tëra në të gjithë botën po kërkojnë gjenet që na bëjnë të prekshëm nga format e rënda të COVID-19, ndërsa shton se ajo çfarë kemi mundësi të bëjmë është të përmirësojmë stilin e jetës (ushqim, aktivitet fizik, gjumë, menaxhim stresi, aktivitete shlodhëse, etj.), shprehet ai.

“Të gjithë jemi ndryshe nga njëri-tjetri falë gjenetikës dhe stilit të jetës, si rrjedhojë asnjë masë e përbashkët nuk vepron te çdokush njësoj”, shkruan epidemiologu.

Statusi i plotë:

“Gjenet mbushin armën! Stili i jetesës shkreh këmbëzën e saj!”

Cit.: Dr. Mehmet Öz

Miqtë e mi!

Prej muajsh kemi vënë re se COVID-19 nuk i prek të gjithë njësoj!

Kemi vënë re se si në një familje ku ka një ose disa pjesëtarë të familjes të infektuar, të tjerë anëtarë nuk infektohen ose nuk sëmuren rëndë.

Kemi vënë re se si format e rënda brenda familjes zakonisht janë në linjë vertikale (ndonjë nga prindërit dhe ndonjë nga brezi poshtë tyre) dhe më rrallë ndodh në linjë horizontale (burrë dhe grua).

Këto elemente janë karakteristika të qarta që, për çdo mjek apo biolog, orientojnë drejt ligjeve të “trashëgimisë Mendeliane”, e cila fillon dhe studiohet që në arsimin parauniversitar dhe është publikisht e njohur prej të paktën një shekulli e gjysëm.

Prej muajsh ekipe të tëra në të gjithë botën po kërkojnë gjenet që na bëjnë të prekshëm nga format e rënda të COVID-19.

Më në fund, një nga studimet më të mëdha (mbi 900.000 persona) u publikua në revistën prestigjioze Nature më datë 30 shtator 2020 me titullin e pèrkthyer:

“FAKTORI GJENETIK MADHOR PËR FORMAT E RËNDA TË COVID-19 ËSHTË I TRASHËGUAR NGA NEANDERTALËT”

Studiuesit e afiliuar në Institutin e Antropologjisë Evolucionare “Max Planck”, Gjermani, Departamentin e Neuroshkencave – Universiteti Karolinska, Suedi dhe në Institutin e Shkencave dhe të Teknologjisë – Okinawa, Japoni, mblodhën të gjitha të dhënat e njohura mbi tani mbi COVID-19 dhe gjenetikën e pacientëve.

U studiuan të dhënat gjenetike nga 1000 Genomes Project (Auton A. et al. Nature 526, 68-74, 2015) dhe u studiuan të dhënat mbi COVID-19 të këtyre personave.

Në detaj, në meta-analizë u përfshinë:

Britani e Madhe – UK Biobank EUR: 784 raste të rënda dhe 419.747 kontrolle

Islandë – deCODE: 86 raste të rënda dhe 223.971 kontrolle

Belgjikë – BelCovid: 57 raste të rënda dhe 1.484 kontrolle

Itali – HOST(age): 1.610 raste të rënda dhe 2.205 kontrolle

Finlandë – FinnGen: 58 raste të rënda dhe 218.734 kontrolle

Britani e Madhe – Genes & Health: 62 raste të rënda dhe 27.353 kontrolle

Brazil – BRACOVID: 176 raste të rënda dhe 1.533 kontrolle

COVID-19 HGI (total): 3.199 raste të rënda dhe 897.488 kontrolle

Gjetja kryesore është se gjenotipi kryesor që riskon për forma të rënda të COVID-19 është:

Rajon me 6 gjene që ndodhet në kromozomin nr. 3 (rreth 50 kilobaza);

Variantet gjenetike shfaqin nivel të lartë disekuilibri të lidhjes (linkage disequilibrium), që do të thotë se kjo lidhje e aleleve nuk është rastësore;

Ky segment gjenomik është i trashëguar nga Neandertalët, me ngjashmëri të lartë me Vindija 33.19, një Neandertal rreth 50.000 vjeçar i gjetur në Kroaci.

Bartësit e këtij segmenti gjenomik paraqesin një risk prej 60% më të lartë për të pasur forma të rënda të COVID-19.

Rajoni gjenetik në fjalë nuk është i shpërndarë në mënyrë homogjene në botë. Në detaj, frekuenca e këtij gjeni është:

30% në Azinë Jugore (Indi) duke shkuar deri në 63% në Bangladesh;

8% në Europë (pak më i lartë në Ballkan);

4% në popullatën mikse të SHBA-së dhe në Amerikën Jugore;

Afër zeros në Azinë Lindore (Japoni);

Afër zeros në Afrikë.

Mendohet se Azia Jugore e ka përqindjen kaq të lartë për shkak të përzgjedhjes natyrore pozitive të këtij gjeni (ndoshta mbrojtës nga sëmundje të tjera).

Mendohet se Azia Lindore e ka përqindjen pothuajse zero për shkak të përzgjedhjes natyrore negative të këtij gjeni (bartësit janë shuar gjatë shekujve të kaluar, ndoshta nga kalimi i një betakoronavirusi të mëparshëm).

Në Afrikë, antropologjia tregon një penetrancë shumë të ulët Neandertaliane që në origjinë.

Nëse e krahasojmë me problematikën e COVID-19 mund ta vëmë re fare qartë se kjo hartë përputhet shumë me hartën e rasteve të rënda.

Pra, shprehja “do të ndodhë çfarë të jetë e shkruar” gjen vend sërish, duke marrë parasysh se materiali i shkruar është gjenetika jonë.

Por, mos të harrojmë!

Siç përmendet në fillim, në citimin e Dr. Öz, edhe stili i jetës luan një rol tejet të lartë, pasi të gjithë mjekët dhe biologët e dinë se:

Gjenotip + Ambjent (vendi dhe stili i jetës) = Fenotip

Fenotipi përfundimtar është situata të shfrytëzon SARS-CoV-2, si rrjedhojë, duke qenë se gjenet tona nuk i kemi në dorë dhe janë të pamodifikueshme, mund të përmirësojmë stilin e jetës (ushqim, aktivitet fizik, gjumë, menaxhim stresi, aktivitete shlodhëse, etj.)

Të gjithë jemi ndryshe nga njëri-tjetri falë gjenetikës dhe stilit të jetës, si rrjedhojë asnjë masë e përbashkët nuk vepron te çdokush njësoj.

Në të ardhmen do të burojnë informacione të mëtejshme mbi gjene të tjera dhe ndoshta edhe analiza gjenetike që do të bënin të mundur kategorizmin e riskut për çdo person.

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Fakulteti i Mjekësisë, UMT

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!