Rrok Pepaj, babai i Danjel Pepajt, ka deklaruar ditën e sotme në seancën gjyqësore ku u vendos masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, se merret me mbledhjen e boronicave dhe nuk ka dijeni për parcelat me kanabis.
Ndërkohë pyetur se si ka arritur të gjejë parcelat me kanabis të cilat kultivoheshin nga djali i tij dhe dy viktimat, ai është shprehur se ka ecur dhe ka kërkuar derisa ka gjetur vendndodhjen dhe se më parë nuk kishte ditur asgjë për ekzistencën e tyre. Ai ka zbuluar gjithashtu se pasur dijeni se djali i tij ishte rrahur nga dy viktimat, gjë e cila sipas dyshimeve mendohet të jetë bërë shkak që konflikti për parcelat e kanabisit të përfundojë me dy të vrarë.
“Nuk jam marr me kultivim kanabisi. Kam dal ne mal për të mbledhur boronica dhe për bagëtinë. Nuk kam pasur dijeni se ku janë parcelat. Duke kërkuar ne mal kemi gjetur parcelat. Kam pasur dijeni vetëm se djalin ma kanë rrahur Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj”, është shprehur Rrok Pepaj në Gjykatë.
Pepaj u la në burg pas vendimit të gjyqtares Ermira Dedja, ndërkohë që avokati Ardian Brunga kërkoi arrest shtëpie për klientin e tij. Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj u gjenden në zonën e Rrencit në Malësinë e Madhe dhe dyshohet se janë vrarë nga Daniel Pepaj, i cili është shpallur tashmë në kërkim nga policia./mv. abcnews.al