BE synon të rregullojë kaosin në udhëtimet brenda bllokut

schedule23:06 - 9 Tetor, 2020

schedule 23:06 - 9 Tetor, 2020

Vendet anëtare të BE-së ranë dakord të premten mbi një politikë të përbashkët të udhëtimit brenda BE-së. Masa synon të rregullojë kaosin e kufizimeve në udhëtime për shkak të pandemisë së COVID-19.

Sepse tash, për shembull, Gjermania ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi për Belgjikën, ndërsa Franca jo. Ndërkohë, Hungaria ka lëshuar një ndalim të përgjithshëm për të gjitha vizitat, me përjashtim të udhëtarëve nga Polonia, Çekia dhe Sllovakia.

Përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së u pajtuan për një listë rekomandimesh, që do të përfshijë një kategorizim të zonave të rrezikut, të cilat do të përcaktohen me ngjyrat: gjelbër, portokalli ose e kuqe, në varësi të situatës së pandemisë.

Megjithatë, vendet anëtare janë të lira të miratojnë sugjerimet ose t’i injorojnë ato plotësisht.

Industria e udhëtimeve, e cila është shkatërruar nga pandemia e koronavirusit, shpreson që masat të miratohen gjerësisht dhe të ndihmojnë për t’i bërë udhëtimet brenda Evropës më pak kaotike.

“Ky është një hap i rëndësishëm i cili, përmes një analize të përbashkët të rrezikut, do të çojë në më shumë transparencë kur udhëtoni në kushte të pandemisë në BE”, tha një zëdhënës i presidencës së BE-së, raporton AFP.

Propozimi gjithashtu nxit “vendet anëtare të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të pasur një koordinim në lidhje me kohëzgjatjen e karantinës dhe opsioneve alternative”.

Propozimi do të miratohet zyrtarisht në një takim, në nivel të ministrave të vendeve anëtare të BE-së, që pritet të mbahet të martën.

Kur filloi pandemia në muajin mars, shumica e vendeve evropiane vendosen rregulla të ndryshme nga njëra-tjetra për udhëtimet brenda BE-së.

Javët e fundit Evropa po përballet me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus. Disa vende kanë filluar të ashpërsojnë masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!