Pas shkrirjes së akujve me Korenë e Jugut dhe vendosjes së kontakteve me Shtetet e Bashkuara, lideri koreanoverior po del nga izolimi. Shumë shpejt ai është kthyer në personin që të gjithë duan ta takojnë dhe kërkesa e radhës ka ardhur nga presidenti rus, Putin.
Rusia ka ftuar Kim Jong-un për një vizitë zyrtare, duke u kthyer në fuqinë e radhës që kërkon të takojë liderin koreano-verior. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit e Kremlinit, sipas të cilës Kim mund ta vizitojë vendin gjatë një forumi ekonomik që do të mbahet në Vladivostok në Shtator.
Zëdhënësi Dmitry Peskov ka deklaruar se detajet dhe koha e vizitës duhet ende të përcaktohen përmes kanaleve diplomatike. Ftesa për një vizitë liderit korean i ishte bërë fillimisht nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, që vizitoi Penianin javën e kaluar, për herë të parë që prej vitit 2009.
“Ejani në Rusi. Do të jetë kënaqësia jonë t’ju mirëpresim”, tha Lavrov.
Pasi për vite të tëra u konsiderua si lideri i një regjimi diktatorial të izoluar, kthimi i Kim Jong Un në një lider ndërkombëtar preku kulmin këtë vit, pas nisjes së shkrirjes së akujve me Korenë e Jugut në janar e pasi lejoi atletët nga Veriu të merrnin pjesë në Lojrat Olimpike.
Për pak ditë ai do të takohet gjithashtu me presidentin Donald Trump, për një samit në Singapor, lëvizje kjo që shënon takimin e parë mes presidentëve të dy vendeve. Të hënën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders deklaroi se përgatitjet për takimin po shkojnë mirë dhe se të dy liderët janë shprehur parimisht dakord që të takohen në 9 të mëngjesit, me orën lokale të Singaporit./abcnews.al

