Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama duke ironizuar se ka përmendur aq shumë emrin e tij sa as bashkëshorti i saj, Meta nuk i ka thënë “Të dua”. Kryemadhi u shpreh se LSI i ka kallur datën kryeministrit Edi Rama, ndërsa iu përgjigj aludimeve të tij, lidhur me emrin e personit që drejton këtë forcë politike. Ajo tha se LSI drejtohet nga të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi që punojnë për familjet e tyre.
“Sot mbas një kohës shumë të gjatë dëgjova me ëndje fjalë në panik e sipër të kryetarit të rilindjes dhe kryeministrit në ikje. Historinë e tij ai e ka mbaruar me PS të cilët panë fytyrën e vërtetë të tij dhe panë kush është partia që ka vlerat e majta. Sot dua të ndaj me ju që LSI vazhdon të ngrihet në përgjegjësinë e asaj force politike që në 2010 i dha shqiptarëve liberalizimin e vizave që bllokohej prej vitesh nga Rama sepse thoshte se do ikim 1 mln shqiptarë nga vendi.
Dhe në të vërtetët gjatë kohës kur ai qeverisi me LSI, por nga 2017 kur mori kazanin tepsinë, kusinë rritja ishte në stratosferë. Dua të them dhe ripërsëris edhe njëherë mospranimin e një mandati të dytë me sektin e rilindjes sepse kjo do të ndante zullumin dhe llumin që Rama ka futur. Falënderoj mbështetësit e LSI të cilët i kanë kallur datën Ramës sa gjithë fjalimin e tij ia kushtonte atyre dhe Monikës. Aq herë sa më ka përmendur emrin Rama nuk më ka thënë Meta “Të dua”, tha Kryemadhi.
Numri një i LSI e cilësoi kreun e qeverisë armik të PS, që ka përzënë nga partia socialistët e ndershëm për të sjellë në pushtet oligarkët. Ndërsa shtoi se kreu i qeverisë duhet të pajiset me një pompë për shkak të vështirësive në frymëarrje duke e cilësuar përdorues të lëndëve narkotike.
“Të gjithë e mbajnë mend mirë se si klithte nëpër gazeta për nxjerrjen jashtë ligjit të PS. Kjo urrejtje psiqike e Edi Ramës nuk mund ta fshehë. Sot dua të them disa gjëra meqenëse përmendeshin në listën e gjatë të premtimeve të Ramës. Klima e Biznesit nuk ofron më gjë tjetër, vetëm biznese të mbyllura. 72 mijë vende pune janë mbyllur në Tiranë për shkak të keqmenaxhimit të qeverisë. Më mirë të jesh fshesë e Monikës që fshin llumin se fshesë e socialistëve të ndershëm që i ka fshirë nga partia. Dua të theksoj që për hir të së vërtetës më vjen mirë që ka frikë nga LSI dhe ndjej mirënjohje për të gjithë stafin tim që janë në çdo cep të Shqipërisë. Bëri çdo gjë, nuk la gjë pa thënë. Sa më shumë të sulmosh rininë shqiptare aq më e fortë bëhet ajo.
Ai akoma nuk e ka kuptuar këtë gjë ose është aq i lodhur dhe aq i viktimizuar ose është në efekte të drogave. I merrej fryma dhe i sugjeroj stafit të tij ta pajisë me një pompë. Mos e lejoni të kishte vështirësi aq të madhe në frymëmarrje. LSI nuk ka kryetar. Kryetarë të LSI janë të gjithë ata që janë anëtarë të sa. I bëj të qartë atyre që e gënjejnë dhe e mashtrojnë. Edhe Ilir Meta ka qenë kryetar i LSI por ajo ka pasur të rinj dhe të reja që punojnë për të mbajtur familjet e tyre. Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve dhe këtë nuk e tjetërson dot Edi Rama“, tha Kryemadhi.
Ajo akuzoi kreun e qeverisë se ka sposorizuar ambasadorët e BE për t’u pozicionuar politikisht, ndërsa shtoi se kontributi i partisë që ajo drejton ka qenë garant për vetëm për SHBA, zgjidhja që sipas saj e kanë bërë shqiptarët që nga viti 1992.
“Sa i përket një detaji shumë të vogël sa i përket Reformës në Drejtësi, Rama harron se votat e LSI nuk kanë qenë garant as për Donald Lu, as për Romana Vlautin që bënte fushatën e Ramës dhe erdhi si ambasadore as për ndonjë tjetër. 20 votat e LSI kanë qenë garant në SHBA sepse marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë janë marrëdhënie midis popujsh. Është zgjedhja që shqiptarët e kanë bërë që në vitin 1992. Data 26 prill do të jetë dita që Shqipëria do të ecë e sigurt drejt BE. Mezi po pres Edi Rama që të shoh buzëqeshjen tënde të ngrirë dhe të ndonjë tjetri që e ka me merak LSI. I bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të votojnë kundër Edi Ramës dhe sektit të tij. Të votojnë çdo individ që do të luftojë dhe nuk do të jetë vegël dhe kukull që lëviz në duart e Edi Ramës”, tha ajo./mv. abcnews.al