Në komisionin e ligjeve është shtyrë për herë të dytë debati për projekt-ligjin “Për profesionin e avokatit”. Shkak është bërë propozimi i deputetit socialist, Bashkim Fino, sipas të cilit, magjistratët që nuk kalojnë dot sitën e Vettingut, nuk mund të marrin as titullin e avokatit.
Ajo që mazhoranca e majtë arriti të miratonte me votat e saj, ishte përjashtimi i avokatëve dhe zyrave të avokatisë nga detyrimi për të paguar sigurime dhe pagë minimale për praktikantët të cilët kryejnë stazhin 1 vjeçar.
Pas kërkesës për citim të Kodit të Punës nga përfaqësuesija e EURALIUS, Korajlka Bumçi, që solli në vëmendje detyrimin ligjor të punëdhënësit për të paguar, jo vetëm sigurimet por edhe një pagë minimale për stazhierët, socialistët gjetën rastin të ndryshojnë këtë detyrim të përcaktuar në kod.
Adnor Shameti: “Kandidatët për avokatë duhert të përjashtohen nga pagesa e sigurimve shoqërore sepse sikurse ka gjuhën që ka Kodi i Punës, që ia lë Këshillit të Ministrave që me një VKM që është një akt nënligjor ta rregullojë, ca më tepër ne i kemi të gjitha të drejtat që me këtë ligj të veçantë ne ta parashikojmë shmangien e pagesës së sigurimeve shoqërore”.
Mazhoranca vendosi përcaktimin në ligj të lirimit të zyrave të avokatisë dhe avokatëve që punësojnë një praktikant, nga ky detyrim i ngarkuar nga Kodi i Punës për derdhjen e kontributeve dhe vendosjen e një page minimale për kohëzgjatjen e praktikës së stazhierit. Projektligji në fjalë mbetet ende për tu votuar në tërësi në mbledhjen e radhës./abcnews.al