Laçi: Nuk mund të punoja me një drejtor teknik, dy paralele që do përplaseshin

schedule23:01 - 8 Tetor, 2020

schedule 23:01 - 8 Tetor, 2020

Ish-drejtori sportiv i Tiranës, Arbi Laçi, është i ftuar në Pressing, në ABC News. Laçi tregoi arsyen e largimit nga Tirana.

“Mendova se ishte koha e duhur për t’u larguar, pasi nuk mund të vazhdoja më bashkëpunimin. Jam gjithmonë për një sistem menaxhimi vertikal, jo vetëm në një klub futbolli, por kudo në jetë. Jam për një hierarki dhe duhen respektuar të gjitha klasat përkatëse.

Kisha një fjalë me presidentin dhe gjërat nuk shkuan ashtu siç kishim rënë dakord. Unë dua ta falënderoj që më dha mundësinë të jem drejtor i Tiranës, pasi nuk kam pasur eksperiencë të mëparshme dhe njohje të madhe në futboll.

Nga ana e aftësisë menaxheriale, duhet të rritesh shumë dhe të punosh, të ulësh kokën, dhe më pas puna do të japë të drejtë apo jo. Përmenda fjalën kampion dhe u largova me medalje në qafë. Nuk kam asnjë keqardhje për këtë ndarje, pasi unë e kam konsideruar veten si fëmijë në atë klub.

Jam tifoz, do të vijoj të mbetem. Shpresoj që gjërat të shkojnë edhe më mirë te Tirana, pasi vijoj të mbetem tifoz i atij klubi. Kishim rënë dakord, në momentin e ndarjes i përmenda gjithçka, pa lënë të nënkuptohet asnjë gjë.

I thashë që kam karakter të fortë dhe nuk mundem të punoj me dikë për të cilin nuk kam dëshirën për të punuar me të, pasi nuk jemi në një nivel për të punuar. Nuk mund të jemi drejtor sportiv dhe drejtor teknik. E kam trajnuar veten edhe jashtë dhe nuk besoj se ka dy pozicione të ngjashme që bëjnë të njëjtën punë. Janë dy paralele që do të përplasen herët apo vonë.

Unë kam qenë këtu si drejtor, tani si “ish”. Kemi fituar, me sakrifica të mëdha financiare, me borxhe që e kanë ndjekur vazhdimisht klubin. Unë e shoh si fitues, e kam përmendur që ishte momenti për të kopjuar Skënderbeun, për të nisur një cikël fitues. Vijon të jetë kjo mundësi te Tirana, por në pikëpamjen time, do të kisha preferuar diçka më tepër përforcim të skuadrës me produktin vendas, me lojtarë të kampionatit, ekipi do të kishte një përbërje më të shëndetshme dhe në letër do të ishte favorite absolute për titullin.

Skuadra ka bërë mirë, është ruajtur boshti cilësor, ndoshta duhet të përforcohej diçka më ndryshe, por kjo mbetet pikëpamja ime dhe nuk vlen më”, u shpreh Laçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!