Çmimi Nobel për Letërsi iu dha sot poetes dhe eseistes amerikane, Louise Gluck. Me Nobelin në Letërsi, 77-vjeçarja kurorëzon veprën e saj, që filloi në fund të viteve ’60.
“Ajo u kurorëzua për zërin e saj karakteristik poetik, që me bukurinë e saj të rreptë e bën ekzistencën individuale universale”, njoftoi Akademia Suedeze gjatë dhënies së çmimit.
Koleksioni i saj i parë me poezi, nga 1968, titullohet ‘I parëlinduri’. Më vonë, pas disa vitesh heshtje, Gluck botoi ‘Shtëpia në Marshland’ (1975) dhe në fillim të viteve 1980, ‘Triumfi i Akilit’.
Poetja ka shkruar edhe rreth zhvillimit të anoreksisë si adoleshente, e më vonë tha se ishte rezultat i përpjekjeve të saj për të kërkuar pavarësinë nga nëna e saj, si dhe vdekjes së motrës së saj më të madhe, që ndodhi para se të lindte Gluck.
Fituese e çmimeve të mëdha letrare, përfshirë Pulitzer (në 1993), Glück lindi në New York City në një familje me origjinë hebre hungareze dhe u rrit në Long Island. Në prodhimin e saj poetik, autobiografia dhe miti klasik janë temat mbizotëruese. Për stilin e saj ajo shpesh është krahasuar me Silvia Plath dhe Anne Sexton.
Ajo është gruaja e 16-të që fiton Nobelin dhe e para amerikane që kur Toni Morrison mori çmimin në 1993. Çmimi Nobel vjen me një medalje të artë dhe një shpërblim prej 1,1 milion dollarësh. /abcnews.al/

