Liverpool ia doli të fitonte titullin kampion në Angli sezonin e kaluar, duke i dhuruar tifozëve të shumtë trofeun e madh pas plot 30 viteve. Jurgen Klopp u shpreh se ekipi i tij nuk do të luftojë për të mbrojtur titullin, por do të nisë sezonin e ri në sulm për të fituar të radhës.
Fitore në tre ndeshjet e para, por këtë të diel ndodhi katastrofa. “The Reds” u turpëruan nga Aston Villa me rezultatin 7-2, teksa nuk pësonin 7 gola në një sfidë kampionati prej 57 vitesh!
Virgil Van Dijk, lideri i prapavijës së Liverpool, ka dhënë një prononcim për BBC, aty ku flet rreth vështirësisë për të qëndruar në majë dhe e mbyll me një koment për veten e tij.
“Mendoj se gjëja më e vështirë është kur tenton të qëndrosh gjatë në krye. Të gjithë mezi presin që të rrëzohesh nga maja. Unë do të jap gjithçka nga vetja ime, do të jap 100% deri në momentin kur të tërhiqem. Nuk dua të kem asnjë peng pasi të mbyll karrierën“, deklaron holandezi. /abcnews.al