Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Selim Selimi shkarkoi nga detyra e këshilltarit, Enis Qerkën që u arrestua pasi që ishte kapur me 113 kilogramë drogë.
Enis Qerka u bë i njohur në opinion kur u arrestua në kufirin Kosovë-Maqedoni me dyshimin se ishte i përfshirë në kontrabandimin e 113 kilogramëve të lëndëve narkotike, në dhjetor 2018.
Gazetari Vehbi Kajtazi në një lidhje për “ABC-ja e mëngjesit” u shpreh se në një shoqëri me një qeverisje me skandale, tashmë sipas tij kjo situatë nuk duket se ka përbërë më problem.
Gjithashtu ai theksoi se ka qenë i afërt me familjen e Presidentit Thaçi, kryesisht me vëllain e tij për të cilin ka shërbyer si shofer.
“Ai ishte këshilltar i Jashtëm që nuk paguhej, por ka qenë e pakuptimtë duke ditur se ka shumë të dhëna, raportimi për personin, të cilën e bënë Këshilltar Politik. Çudia më e madhe ishte se ai nuk lidhje me asgjë me partinë politike të AAK-së, Ramush Haradinaj, por gjithmonë ka qenë i afërt me familjen e Presidentit Thaçi, kryesisht me vëllain e tij. Ka shërbyer si shofer i tij, më pas u bë Këshilltar Politik i Ministrit të Drejtësisë.
Dje publikuam një fotografi tjetër të tij me një ministër tjetër të LDK-së që dukej se ka lidhje të afërta me partitë politike në Kosovë. Duhet të theksoj se nuk kishte ndonjë lidhje direkte me grupin e trafikantëve të drogës, por u gjend me një veturë që i përkiste një shtetasi turk që u gjet i vdekur në Prishtinë dhe në banesën e tij u gjetën 112 kg heroinë, i cili kishte shtetësi të dyfishtë në Kosovë.
Ndonëse nuk lidhet direkt me trafikimin e drogës, qëllimisht morën veturën në parkingun e banesës dhe u nisën drejt Maqedonisë dhe kjo nuk ka qenë e rastësishme. Ata morën veturën pasi e kuptuan se shtetasi turk është gjetur i vdekur. Besoj e kanë marrë ose për ta larguar nga Kosova ose për hesape të tjera që deri më tani nuk janë zbardhur”, sqaroi ai.
/abcnews.al/