“Misteri i zhdukjes së trefishtë në Shkodër”, Hajdarmataj: Policia e Shtetit, në krizë

schedule09:29 - 6 Tetor, 2020

schedule 09:29 - 6 Tetor, 2020

Tre persona Vilson Pal Çutaj, Klement Nush Pepaj, Danjel Rrok Pepaj, nga fshati Vrith i Malësisë së Madhe në Shkodër, janë zhdukur pa gjurmë që nga data 3 tetor.

Ndërkohë mendohet se dy prej tyre mund të jenë vrarë. Ngjarja u publikua nga gazetari i “ABC News” Artan Hoxha.

Vëllai i një prej të zhdukurve ka bërë denoncim për zhdukjen e tyre, fill pas publikimit të ngjarjes së rëndë.

Ndërkohë Babai i Klement Pepaj, hodhi dyshimet se djali i tij është vrarë.

Lexo edhe: Artan Hoxha: E rëndë në Malësinë e Madhe, tre persona vriten për kanabisin, policia në kërkim të trupave

Eksperti i kriminalistikës, Arben Hajdarmataj i ftuar në “Abc-ja e mëngjesit” foli për zhdukjen e trefishtë në Shkodër.

Hajdarmataj theksoi se pavarësisht lidhjeve farefisnore, qëllimi final është përfitimi nga pazaret e drogës dhe se përpara fitimeve të planifikuara nuk vlerësojnë asgjë tjetër.

Lexo edhe: Zhdukja e tre kushërinjve në Malësinë e Madhe, Hoxha: Ngjarja për parcelat e kanabisin

“Di që ishin të tre kushërinj. Në momentin që arrijnë që tu prishën pazaret nuk llogarisin më lidhjet farefisnore. Nëse do t’i hyjmë një analize psikologjike, këtyre personave nuk u funksionon pjesa e marrëdhënieve njerëzore dhe para fitimeve të përfituara nuk mendojnë asgjë. Besoj se nëse ka një përkushtim maksimal të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë kjo ngjarje nuk do të vonojë që të zbardhet”, sqaroi eksperti i kriminalistikës.

I pyetur se përse pikërisht në këtë zonë, Hajdarmataj tha se Malësia e Madhe është kthyer në një bazë të kultivimit të kanabisit.

Hajdarmataj: Kemi disa zona në Shqipëri, një hartë të kuqe sa i përket kultivimit të kanabisit, ku përfshihet Malësia e Madhe, (pra e gjithë lugina deri në Theth) . Ato zona janë të vështira për tu kontrolluar nga policia sa i përket mbikëqyrjes me këmbë. Informacione ka, sepse nuk është xhungël, Malësia e Madhe ka disa fshatra. Edhe presidenti Meta i ka vizituar më këmbë të gjitha bjeshkët.

Lexo edhe: Dyshojmë se është përfshirë në çështje droge: Trondit babait i të zhdukurit në Malësinë e Madhe

Gjatë bisedës në studio ai u shpreh se këto ngjarje thuajse po bëhen të shpeshta, sidomos rastet e zhdukjes së personave.

“Zhdukja e personave është shkalla më e lartë e kriminalitetit, është një nga format që përdor edhe mafia. Sa i përket rastit në Malësinë e Madhe, në bazë të dhënave të disponueshme, dyshohet se zhdukja e këtyre personave është për shkak të konflikteve që kanë për mbjelljen dhe kultivimin e hashashit.

Tashmë ka kohë që Malësia e Madhe është si të thuash, bazë për kultivimin e hashashit. Është edhe koha e vjeljes së hashashit. Ka persona që e pikasin se ku është një parcelë e mbjellë dhe hyjnë në momentin e vjeljes për ta vjedhur. Realisht kemi pasur edhe raste ku në Shqipëri kanë ndodhur vrasje në momentet kur thahej bima narkotike, për të realizuar edhe vjedhjet”, tha ai.

Sakaq Hajdarmataj tha se fatkeqësisht Policia e Shtetit Shqiptar nuk arrin të kontrollojë territorin, ndërsa për arsyet tha se përse ndodh diçka e tillë u shpreh se duhet realizuar një analizë e thellë. Ndonëse sipas tij faktor mbetet krizë që ka përfshirë Policinë e shtetit.

“Është një krizë e thellë e besimit që ka kapur policinë, pra do të thotë që qytetarët shqiptarë nuk kanë besim te policia, për të dhënë informacion. Por nga ana tjetër ka edhe një krizë brenda policisë. Domethënë strukturat vartëse nuk japin informacion tek strukturat eprore.

Kjo krizë besimi nuk ka filluar tani në Policinë e Shtetit, sa i përket kontrolleve të lëndëve narkotike. Kjo ka filluar shumë më herët dhe kulmin e ka arritur kur zoti Tahiri  drejtoi Ministrinë e Brendshme, sepse mbjellja dhe kultivimi i bimës narkotike i hashashit, kur zoti Tahiri drejtonte Ministrinë e Brendshme filloi si një skemë piramidale. Pra, fillonte tek ai që e kultivonte, tek polici që mbulonte zonën, eprori dhe për të vijuar deri te drejtori i qarkut dhe logjikisht shpërndahej më tej.

Këtu filloi edhe inkriminimi masiv i Policisë së Shtetit sa i përket këtij lloj aktivitetit. Imagjinoni një strukturë me rreth 11 mijë personash që të ketë këtë lloj krize, duke mos arritur të koordinohen. Nuk futem tek pjesa e strukturimit kriminal, ku nuk mund të them se e gjithë Policia e Shtetit, por persona…drejtues të caktuar janë pjesë e trafikimit të drogërave të rënda. Propaganda e qeverisë arrin deri në njëfarë mase që shuan zërat tonë, por raportet ndërkombëtarë flasin për shifra të larta”, tha Hajdarmataj./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!