Maqedonia e Veriut ka vendosur së fundmi që të heqë pengasat në lëvizjen e qytetarëve mes vendeve të rajonit.
Ministria e Shëndetësisë njofton se Komisioni për Sëmundje Infektive mëngjesin e sotëm ka rekomanduar që kufijtë me Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë të hapen pa kushte, respektivisht pa PCR teste.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se propozimi për këtë nismë rajonale do të diskutohet të martën në mbledhjen e qeverisë dhe se vendimi me gjasë do të jetë pozitiv.
“Bëhet fjalë për nismë rajonale, jo të Maqedonisë së Veriut, pasi kemi një rajon të vogël, ndërsa shifrat thuajse janë identike. Me siguri se do të marrim vendim në qeveri, kemi debat kualitativ. Kjo do të ndihmojë edhe ekonomikisht, por duhet të kemi kujdes… Ne nuk duam të jemi të izoluar nga rajoni. Nëse rajoni është i hapur edhe ne duhet; jemi shtet i vogël, i lidhur me rajonin. Ne marrim vendime pozitive kur propozime të tilla bëhen nga ekspertët e Komisionit të Sëmundjeve Infektive”, është shprehur Zaev.
Ndërkohë qytetarët maqedonas aktualisht mund të lëvizin pa testin PCR vetëm në Republikën e Shqipërisë.e.su./abcnews.al