Mes debateve të shumta votohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Gazetarja Esiona Konomi raporton për abcnews.al se deputetët kanë votuar pro ndryshmeve të Kodit Zgjedhor, me 96 vota pro në parim, dhe 97 vota në tërësi.
Mazhoranca kishte vetëm 74 vota, ndërsa Kodi u miratua me 97 vota pro duke bërë që 23 deputetë të opozitës parlamentare t’i bashkoheshin mazhorancës në votim.
Deputetët gjate këtij procesi, kanë votuar me letër ndërsa mazhoranca ka siguruar shumicen e cilësuar për votimin e ndryshimeve.
Votimi bëhet me fletë pasi deputetët janë të shpërndarë në sallën e Kuvendit për shkak të pandemisë.
Cilat janë ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara ditën e sotme:
Në ndryshimet në Kodin Zgjedhor përcaktohet se pragu kombëtar do të jetë 1 %, do të ketë ri-renditje të pjesës së parë të listës së kandidatëve bazuar tek vota preferenciale, i jep të drejtë kryetarit të partisë të garojë në 4 zona zgjedhore njëkohësisht dhe se për të kaluar pragun e listës, kandidatëve u vendoset prag tavan 10 mijë vota si dhe heqja e koalicioneve të përbëra dhe kandidimi me listë unike.
Renditja e listës
Lista bëhet nga kryetari i partitë. Kandidati mund ta prishë këtë renditje të bërë nga partia, vetëm nëse merr me shume votat parapëlqyese se sa mesatarja që ka marrë partia për të fituar një mandat deputeti në një qark të caktuar.
Ky ”pragu” me amendamentet e reja të propozuara sot nga Partia Socialiste është ulur në një maksimum prej 10 mijë votash.
Shpërndarja e mandateve
Sipas formulës së PS, shpërndarja e mandatit fillon sipas renditjes së kandidatëve nga i pari tek i fundit, në bazë të listës që ka bërë kryetari i partisë.
Renditja e kandidatëve ndryshon vetëm nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madhe se herësi, që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara, por jo më shumë se 10 mijë vota.
Për shembull marrim qarkun e Shkodrës që ka gjithësej 11 mandate dhe çdo parti ka dorëzuar një listë me nga 11 kandidatë të renditur me preferencë kryetari e jo me short apo rend alfabetik.
Nëse Partia Socialiste në qarkun Shkodër ka marrë 50 000 vota dhe ka fituar përmes tyre 5 mandate, llogaritet se një mandat deputeti korrespondon me 10 mijë vota.
Deri në këto momente fitues llogariten 5 kandidatët që kryetari i partisë ka renditur të parët.
Renditja mund të prishet vetëm nëse poshtë vijës së kuqe ka kandidatë që janë votuar më shumë se sa ata që janë sipër vijës.
Po kjo nuk mjafton.
Përveçse më të votuar, emrat poshtë vijës që të kalojnë në listën fituese duhet të kenë kaluar dhe pragun e votave mesatare. (Në rastin e shembullit tonë duhet të kenë marrë të paktën 10 001 vota).
Në këtë rast, kandidati kalon në listën fituese duke spostuar emrin e fundit të renditur nga partia në pjesën fituese (gjithnjë nëse është më i votuar se sa ai). Pra sipas këtij shembulli, digjet i rendituri i 5-ti. Tjetri sposton të 4-tin, e me radhë.
Pra emrat e votuar më shumë se mesatarja që janë poshtë vijës së kuqe, “vrasin” me radhë nga fundi të preferuarit e kryetarit. Kjo bën që të renditurit në fillim ta kenë thuajse të garantuar fitoren.
Koalicionet
Me ndryshimet e miratuara, partitë politike që duan të garojnë në 25 prill 2021, në koalicion mund ta bëjnë vetëm me listë unike dhe në një sigël të vetëm.
Kjo pikë është kundërshtuar me forcë nga opozita jashtëparlamentare.
N.D./abcnews.al