Albi Doka do të jetë pjesë e Shqipërisë për miqësoren kundër Armenisë, si dhe në përballjet e Nations League ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë. Mbrojtësi i djathtë, pjesë e Gorica në Kroaci, është i lumtur për ftesën që ka marrë.
“Jam jashtëzakonisht shumë i lumtur sepse është një ëndërr e bërë realitet. Si çdo fëmijë e kam pasur ëndërr që një ditë ta vesh fanellën e kombëtares dhe e arrita këtë ditë. Unë jam gati të vij dhe të bëj më të mirën, luaj apo jo, e ka në dorë trajneri”, shprehet Doka në Supersport.
Ai flet më pas edhe për aventurën në Kroaci: “Kam dy muaj në Kroaci dhe jam ambientuar shumë shpejt. Shokët e skuadrës dhe trajneri më kanë pritur shumë mirë, shpresoj të vazhdoj me paraqitjet pozitive. Plani im është të bëj sa më mirë me ekipin dhe pse jo të transferohem në një kampionat më të fortë”.
Sigurisht Doka e ka ndjekur edhe Tiranën gjatë kësaj periudhe: “Tirana është dhe gjithmonë do jetë në zemrën time. Përsa i përket eliminimit në Europa League, mendoj se ishte një kundërshtar shumë i fortë përballë. Fati nuk donte që Tirana të ishte në grupe, megjithatë jam i sigurt që bardheblutë do jenë një ditë në grupet e Europa Leagues”. /abcnews.al