Paris Saint Germain arriti një fitore shumë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme, pasi djemtë e Thomas Tuchel kaluan pa problem Angersin. Kampionët në fuqi fituan me rezultatin 6-1, duke vazhduar ngjitjen në renditje. Përpos fitores, situata në klubin francez nuk është aspak e qetë, pasi kanë filluar krisjet mes trajnerit dhe drejtorit sportiv Leonardo.
Gjithçka filloi me deklaratën e Tuchel ditën e enjte, një ditë para ndeshjes. “Ky është futboll, çdo gjë është e mundur. Ne e dimë shumë mirë që për të përsëritur arritjet e sezonit të kaluar na duhet edhe fati. Të jemi realistë, me këtë ekip nuk mund të kërkojmë shumë pasi kjo është situata,” deklaroi gjermani, duke shprehur hapur pakënaqësinë për merkaton që kanë bërë drejtuesit.
I menjëhershëm ishte reagimi i Leonardos, i cili nuk i kurseu fjalët për të pas ndeshjes së djeshme. “Po bëjmë gjithçka që mundemi në merkato. Nuk më pëlqeu deklarata e Tuchel. Nuk e kuptova dhe as klubit nuk i pëlqeu. Po mendojmë për një ndëshkim të tij.
Ne nuk jemi këtu për të gjykuar. Ne duhet të kemi shpirtin e sakrificës për klubin dhe nuk më pëlqeu aspak se si trajneri foli. Nëse dikush nuk është i lumtur, ne mund të flasim dhe nuk ka asnjë problem. Po kur ai vendos të qëndrojë, patjetër që duhet të respektojë vendimet e bordit drejtues”, përfundon braziliani. /abcnews.al