Të dënuarit në regjimin 41 biss në grevë urie, Etilda Gjonaj: Njëri prej tyre është në spital

schedule15:21 - 2 Tetor, 2020

schedule 15:21 - 2 Tetor, 2020

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka dhënë detaje për grevën e urisë që kanë nisur dy të dënuar në regjimin 41 biss në burgun e Peqinit. Gjonaj u shpreh se njëri prej tyre Arbjon Aliko ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën ndërsa thekson se nuk pret që të dënuarit ta pranojnë lehtë regjimin.

 “Zbatimi i 41 biss nuk është një proces i lehtë. 2 personat (Genc Balla dhe Arbjon Aliko) që janë futur në grevë urie në Peqin, ku njëri ka dalë prej saj dhe sot tjetri është në spitalin e burgut në gjendje që nuk i paraqitet asnjë rrezik. Nuk presim që subjekte që janë vendosur në këto regjime, ta pranojnë lehtë.

Mendoj se ky është vetëm fillimi pasi në vijim do të ketë edhe subjekte të tjera. Natyrisht në respektim të drejtave dhe lirive të njeriut. Është absolutisht nën vëzhgim të rreptë si nga drejtoria e përgjithshme e burgjeva ashtu edhe nga Ministria e Drejtësisë. Edhe në Itali ku u përdor fillimisht, pati vështirësitë e veta, por hapa pas hapi është bërë risi dhe ka dhënë efekte pozitive për qëllimin që është krijuar”, tha Gjonaj.

Aktualisht burime bëjnë me dije për gazetaren Glidona Daci se Aliko ka dalë nga greva, ndërsa Balla vijon akoma të qëndrojë në grevë urie./mv. abcnews.al