Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Avdullah Hoti pas mbledhjes së dy qeverive, kryeministri Edi Rama foli për heqjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Rama tha se një gjë e tillë është premtuar vazhdimisht por nuk është arritur, pasi kanë shpërthyer deklaratat për “Shqipërinë e Madhe” nga Serbia, por edhe nga ata që flasin anglisht, siç tha ai.
“Janë kategori njerëzish që nuk kuptojnë çlirimin e barrierave mes nesh. Ma thoni pak pse në kaq vite e keni dëgjuar kaq shpesh që do hiqet kufiri, do hyni dhe do dilni pa radhë dhe kjo nuk ndodh? Nëse nuk ndodh në kontekstin rajonal nuk ndodh në atë bilateral. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të vendosnin që ne po heqim kufirin sepse jo Beogradi por Uashingtoni dhe Brukseli do të ngriheshin menjëherë dhe thonë ‘Shqipëria e Madhe’, këta në anglisht. Rruga është që për përfitimin tonë, ne të hyjmë në këtë moment ku kemi hyrë që ne të zbatojmë katër liritë. Sot folëm për heqjen e kufirit, s’ka si guxon njeri në Beograd dhe të thotë çështë kjo Shqipëri e Madhe sepse ne kemi hyrë në procesin rajonal. Nuk ka kushte, nuk ka radhë. Ne do të ecim me Kosovën shumë më shpejt dhe nuk na del dot njeri pengesë. Po ku thonë ca e nxore serbin në det. Me ca e nxora, me kuaj, me shpata? Deti është i shqiptarëve, jo i serbëve, porti është i shqiptarëve jo i serbëve. Shpresoj shumë që kësaj çmendurie ti ketë ardhur fundi. Po të shohësh këtë proces të kujtohet At Gjergj Fishta, si janë shqiptarët, sic i do Armiku’, tha Rama.
LEXO EDHE: Rama komenton marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë: Jemi në një linjë me BE-në. Mesazh Albin Kurtit
I pyetur nga gazetarët e Kosovës për Roaming, Rama tha se duhet të bëhet fillimisht Roamingu rajonal.
“Për Roamingun falë këtij procesi është bërë një hap i rëndësishëm. Ti kërkon Roaming shqiptar. Ska qenë ndonjëherë zotim kush flet shqip në telefon ska Roaming. Kemi bërë një hap me Roamingun rajonalisht. Duhet të vijmë hap pas hapi. Nuk mund të ndërtojmë një Ballkan ku fitojnë vetëm shqiptarët. Ne duhet të jemi me të gjithë njerëz që shohim interesin”, deklaroi ai. g.v/abcnews.al


