Helmimi i Navalnit, 5 vende evropiane i dërgojnë letër OKB-së

schedule07:28 - 2 Tetor, 2020

schedule 07:28 - 2 Tetor, 2020

Helmimi i kritikut të Kremlinit Alexei Navalny “përbën një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Britania, Franca, Gjermania, Estonia dhe Belgjika të enjten, njofton agjencia e lajmeve Reuters.

“Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse të zbulojë, urgjentisht, plotësisht dhe në mënyrë transparente, rrethanat e këtij sulmi dhe të informojë Këshillin e Sigurimit në lidhje me këtë”, thanë ato në letrën dërguar organit 15-anëtarësh.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia u tha gazetarëve se autoritetet ruse ishin ende duke pritur që Gjermania dhe Franca t’i përgjigjeshin kërkesës së tyre për prova në mënyrë që Moska të mund të pohonte nëse kishin nevojë për të filluar një hetim.

Navalny u dërgua në Berlin në gusht pasi u sëmur në një fluturim brenda Rusisë. Ai mori trajtim për atë që Gjermania tha se ishte helmim me agjentin nervor noviçok që mund të jetë vdekjeprurës, para se të lirohej në shtator.

Letra drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së thotë se më 2 shtator qeveria gjermane konfirmoi se testet kishin treguar “prova të qarta se zoti Navalny ishte helmuar nga një agjent nervor kimik i llojit noviçok, i cili u zhvillua nga Bashkimi Sovjetik dhe tani menaxhohet nga shteti pasues”, Rusia.

Rusia ka mohuar çdo përfshirje në incident dhe tha se ende nuk ka parë prova që tregojnë se bëhet fjalë për një krim. Misioni rus në OKB nuk bëri komente të menjëhershme mbi letrën.

Anëtarët evropianë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Britania vunë në dukje se nëntorin e kaluar Këshilli i Sigurimit miratoi një deklaratë duke rikonfirmuar se çdo përdorim i armëve kimike “kudo, në çdo kohë, nga kushdo, në çdo rrethanë është i papranueshëm dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.”

“Në këtë kontekst, ne konsiderojmë se përdorimi i një agjenti nervor kimik i llojit noviçok në helmimin e neveritshëm të zotit Alexey Navalny përbën një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkruajnë ata.

Letra u dërgua ndërsa Rusia merr presidencën mujore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në tetor.

Shtetet e Bashkuara nuk e nënshkruan letrën, por të mërkurën Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha: “Qeveria ruse duhet të ofrojë një llogari të plotë mbi helmimin e Alexei Navalny-it dhe të mbajë përgjegjës ata që janë përfshirë në këtë veprim”./VOA