Kristal Abazaj nuk ka frikë nga e ardhmja

schedule14:40 - 29 Maj, 2018

schedule 14:40 - 29 Maj, 2018

Kristal Abazaj ishte padyshim zbulimi i këtij sezoni në Superligën shqiptare. Ish-futbollisti i Luftëtarit tregon emocionet e këtij viti dhe objektivat e së ardhmes, në një intervistë për ABC News.

Tifozët e pritën në mënyrë triumfale, në takimin e tyre të fundit.

Kristal Abazaj ishte ylli kryesor në festën e mbylljes së sezonit të Luftëtarit, në Pallatin e Sportit të Gjirokastrës, ndërsa lojtari më i mirë i Superligës do ta vazhdojë karrierën jashtë vendit.

Me shumë gola, me pasimet vendimtare, me shumë klas, por sidomos me shumë përkushtim, ai i dha fund aventurës shqiptare në mënyrën më të mirë.

Në intervistën për ABC News, ai vlerëson sezonin, ndeshjen më të mirë dhe golin më të bukur.

Kristal Abazaj: “Kemi bërë një sezon perfekt, një sezon super. Kemi treguar që jemi një ekip shumë i mirë, por këtë vit e kurorëzuam me kupat e Europës, që është shumë pozitive dhe jemi shumë të lumtur. Goli më i bukur është ai që i kam shënuar Partizanit”.

Edicionin tjetër, Kristali do të jetë tek Anderlecht-i.

Përse zgjodhi kështu?

Kristal Abazaj: “Kam pasur 3-4 oferta nga ekipe që janë shumë shumë të mira. Besoj që Anderlecht-i dhe dihen se çfarë ekipi janë ata dhe se çfarë shitjesh bëjnë”.

Kur e pyet se në çfarë lige të madhe europiane dëshiron të shkojë, ai përgjigjen në mënyrën e tij tepër të përmbledhur.

Kristal Abazaj: “Besoj që për momentin jam shumë mirë aty dhe do përqëndrohem e do jap makimumin”.

Abazaj 22-vjeçar po nis një aventurë të bukur, por edhe të rrezikshme, pasi shumë lojtarë të kampionatit shqiptar kanë dështuar jashtë.

Kristal Abazaj: “Normalisht, ajo është e vërtetë, por nuk është pjesë e karakterit tim, që  të shkoj aty dhe të dorëzohem. Do të shkoj që të punoj më shumë sepse më motivon akoma më shumë”.

Karriera e tij është pasuruar edhe më shumë prej disa muajsh, pasi është bërë pjesë e kombëtares së Shqipërisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!