Orges Shehi ka ndjekur ditën e djeshme sfidën me Llapit dhe Ballkanit, ndërkohë që në Kosovë u raportua se durrsaku është kandidat për të marrë drejtimin e skuadrës nga Podujeva. Ky lajm është hedhur poshtë nga klubi i Llapit, që sot ka dalë me një komunikatë.
“Duke i parë shkrimet e mbrëmjes së djeshme (30.09.2020) në lidhje me pozicionin e trajnerit të K.F. Llapi, pra spekulimet dhe gënjeshtrat kinse trajneri Orges Shehi do të marrë drejtimin e klubit, REAGOJMË dhe mohojmë të gjitha këto shkrime dhe ju njoftojmë se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim.
Trajneri në fjalë, Orges Shehi është e vërtetë se ishte dje në ndeshjen Llapi – Ballkani, por jo në lidhje me angazhimin në shtabin teknik, por ishte në vëzhgim të të disa futbollistëve të rinj të klubit.
Andaj edhe një herë, lusim mediat elektronike dhe të shkruara që për çdo informacion të kontaktojnë zyrtarët e klubit tonë, të cilët në çdo moment janë të gatshëm të ofrojnë informacione në lidhje me klubin”, shkruhet në komunikatën e Llapit.
Shehi momentalisht nuk është në drejtim të ndonjë skuadre, pas largimit nga Kukësi në fund të kampionatit të shkuar. Më parë ai ka drejtuar edhe Skënderbeun, ndërkohë që është përfolur si një opsion për Teutën, Apoloninë e Partizanin në të shkuarën. /abcnews.al