Policia e Tiranës ka arrestuar një shpërndarës me pakicë të kanabisit në kryeqytet pas informacioneve të marra në rrugë operative për aktivitetin e tij.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në pranga ra një 32 vjeçar, të cilit iu kapën një numër i madh dozash kanabisi, ndërsa bëhej gati për t’i shpërndarë tek klientët. Gjatë kontrollit, në shtëpi iu gjet edhe një sasi prej 4 kilogram lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
“Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Bill Klinton”, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. D., ku Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 4 kg lëndë narkotike të dyshuar kanabis, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, 1 aparat celular dhe një automjet“, bën me dije policia.
Policia bën me dije se është informuar më herët për aktivitetin e të riut duke e mbajtur nën vëzhgim atë prej disa kohësh. /abcnews.al