Skënderbeu u njoh në janar me vendimin e FIFA për të shlyer mbrojtësin Kabba Sambou, i cili i kishte paditur korçarët dhe priste të merrte paratë që i takonin.
Rreth 20 mijë euro Skënderbeu duhet t’ia jepte afrikanit për pagat e pashlyera, ndërsa 64 mijë euro të tjera për prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme.
Me gjithë interesa, borxhi i Skënderbeut ndaj Sambou shkonte në rreth 90 mijë euro dhe për 45 ditë bardhekuqtë nuk e shlyen futbollistin. Për këtë arsye më vendim të FIFA-s as nuk mund të regjistronin lojtarë dhe deri më tani nuk kanë njoftuar për afrime zyrtare.
Në Korçë duhet të qetësohen sa i takon borxhit ndaj Kabba Sambou. Palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kjo konfirmohet për abcnews.al nga burime pranë vetë futbollistit.
Nuk zbulohen detaje të marrëveshjes mes palëve dhe sa është shuma që Skënderbeu ka shlyer si fillim, por rëndësi ka që korçarët së shpejti mund të regjistrojnë lojtarë për sezonin e ardhshëm. /abcnews.al