Meta dekoron Kardinalin Ernest Troshani

schedule12:03 - 29 Maj, 2018

schedule 12:03 - 29 Maj, 2018

Kardinali Ernest Simon Troshani është vlerësuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Në nder të kardinalit shqiptar u zhvillua mesha e shenjtë në kishën e Shna Ndout në Laç.

Në shtëpinë e zotit, siç e emërtoi Presidenti Ilir Meta kishën e Shna Ndout, një ceremoni e veçantë është organizuar për një njeri të veçantë.

Ilir Meta: “Jemi mbledhur në kishën simbol të qëndresës dhe të lutjeve, për të nderuar sëbashku Kardinal Troshani. Kardinal Troshani një nga simbolet e gjalla të qëndresës dhe të lutjeve, një personalitet i spikatur i besimit katolik”.

Në meshën e shenjtë që u mbajt nga Arqipeshkvi Metropolitan i Firences, Kardinal Giuseppe Betori në Kishën e Shna Ndout në Laç, Presidenti Meta vlerëson Hirësinë e Tij më të Shkëlqyer, Kardinalin shqiptar Ernest Simoni (Troshani) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Ilir Meta: “Kjo dekoratë me emrin e madhështorit e të pavdekshmit Heroit tonë Kombëtar, “shqiptarit më të gjallë ndër të gjallët”, siç do të shprehej Fan S. Noli, i jepet sot Kardinalit Troshani. Kardinal Troshani përfaqësues i brezit të jashtëzakonshëm të klerikëve katolikë që jetën ia kushtuan besimit të palëkundur ndaj Zotit”.

Kardinali Troshani është ndër dëshmitarët e fundit të gjallë të gjeneratës së klerikëve shqiptarë, që u persekutuan, u dënuan dhe u martirizuan. Ai u dënua pasi në vitin 1963 guxoi të mbante një meshë në kujtim të presidentit të vrarë të SHBA, Xhon Kenedi.

Ky veprim e ndëshkoi me vdekje Kardinal Troshanin. Vendimi më i mëvonshëm do të shndërrohej në 25 vjet burgim. Rastësi apo fat, dënimi i dytë i mundësoi shqiptarëve sot të kenë një dëshmitar të gjallë të kalvarit të vuajtjeve të klerit shqiptar nën regjimin komunist./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!