Greqi-Maqedoni/ Mogherini: Progres për “emrin” por ende s’ka marrëveshje

schedule18:45 - 28 Maj, 2018

schedule 18:45 - 28 Maj, 2018

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini ka përshëndetur rrjedhën e deritanishme të negociatave për çështjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë. Por ajo ka nënvizuar se palët nuk janë ende pranë finalizimit të një marrëveshjeje.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka vlerësuar përpjekjet e deritanishme mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Megjithatë, në një konferencë për shtyp në Bruksel, Mogherini ka nënvizuar se duhet ende kohë që palët të arrijnë një marrëveshje. “U njohja nga ministri i Jashtëm maqedonas, me të cilin pata një takim pozitiv, me progresin e bërë për çështjen e emrit. Ecuria është shumë inkurajuese dhe premtuese, por ende nuk është finalizuar”, ka deklaruar Mogherini. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së ka rikonfirmuar vendosmërinë e Brukselit për të mbështetur një ujdi që mund të arrihet sipas saj në ditët ose javët e ardhshme. “Çështja e emrit ekziston prej kohësh dhe ka krijuar komplikacione për vite me radhë. Ne mbështesim bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB”, ka vijuar Mogherini. Për të konfirmuar mbështetjen e Unionit kundrejt vendeve të Ballkanit, shefja e diplomacisë europiane ka theksuar se KE ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën, në bazë të reformave të kryera dhe kritereve që duhet të përmbushen. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!