Edvin Libohova, presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, është i pranishëm në studion e emisionit “Pressing” në ABC News dhe flet mbi situatën e krijuar me futbollin në vend. Sigurisht katër kërkesat drejt qeverisë ishin sërish në fokus.
“Materiali që i paraqitëm qeverisë është ai që biseduam me Fidel Yllin të hënën e shkuar. Ramë dakord që të shtjellojmë kërkesat tona dhe paketën ligjorë. Ai ka thënë të nisim kampionatin, kurse presidentët thanë që vazhdojmë bojkotin dhe më pas bisedojmë”, tha fillimisht Libohova përballë moderatorit Gerti Çarçani.
“Ligji i Sponsorizimit? Ligji aktual ka ndryshuar dhjetorin e kaluar. Prisnim që kërkesat të plotësoheshin për 100 ditë. U bë ndërhyrje te ligji i tatimit, por me impakt te ligji i vitit 1994. Një lek shpenzim njihet 3 lek shpenzime. 55 për qind me 45 për qind i bie. Pse nuk jemi dakord ne? Ka prodhuar 0 rezultat për 25 vite. Nuk do prodhojë as kjo formulë. Kjo nuk ndodh, pasi i duhet 55 për qind privatit të sponsorizojë. Limiton kompanitë, pasi janë pak që kanë fitim 1 miliard lek. Pika e dytë është që autorizimin për të bërë investime në sport e jep Drejtoria e Tatimeve”.
“Nëse ky ligj do të funksiononte tamam, në fund nga tatimet do mbaheshin 20-25 milion euro. Kjo është fatura e shtetit. Ligji i propozuar është për të gjitha sportet. Nuk po mendojmë për 10 klubet e futbollit, Duhet strategji në sport dhe në shumë fusha. Është përgjegjësi e klasës politike që të hartojë një strategji dhe të votohet me shumicë të cilësuar. Modeli hungarez është shumë i mirë. Kemi marrë modelin e Kosovës, pasi jemi të përafërt. Atje ka funksionuar dhe shikoni si po shkojnë lojtarët atje. Ne kemi propozuar që kompanitë që kanë 200 mijë euro fitime e lart mund të sponsorizojnë.
“Efekti në buxhet? Kemi kërkuar deri në 30 për qind dhe në fund fondi shkon 50 milion euro. Nuk implementohet dot që në fillim. Mendohet që të shkojë 60 për qind e kësaj shume, rreth 30 milion euro. Këto para i hiqen buxhetit dhe i shkojnë sportit nga kompanitë private”.
“Qëllimi nuk është thjesht t’i marrim para buxhetit. Nuk flasim veç për futbollin. 50 për qind e shumës duhet të shkojnë për infrastrukturën, pra nga llogaritë shkojnë 15 milion euro. Duhet t’i japim prioritet infrastrukturës. 25 për qind e fondit duhet të shkojë për sportin e bazës. Akademitë janë shumë të rëndësishme dhe duhet investuar. Në total 7.5 milion euro. Pjesa tjetër, 25 për qind, shkojnë për sportin elitar. Aty janë pagat, shpenzimet operative e shumë të tjera”.
“1 lek i investuar në sport është 4 lek i kursyer në Shëndetësi. Do ketë më pak kosto në Shëndetësi. Do të ketë formalizim të klubeve të futbollit. Që Ligji të funksionojë, duhet që klubet të jenë të formalizuara. Pa formalizim nuk i përfiton fondet. Ajo kosto, 30 milion euro, që në fillim do jetë më e vogël. Këto para të hedhura në treg do të prodhojnë taksa, pasi janë para që qarkullojnë. 10 milion euro kthehen pas. Dalim te kostoja e asaj që shteti ka parashikuar të bëjë. Qeveria dhe Ministria përcaktojnë sportet prioritare, ndarjen nuk e bëjmë ne”.
“Ligji i Sponsorizimit është i pari, të tjerat mund të negociohen. Sa i takon gjobave dhe kamatave, lidhet më pak klube dhe janë gjoba të pushtetit lokal të mbartura ndër vite. Janë falur shpesh kamatat. Po flasim për një fillim të ri, le të bëhet kjo. Që të formalizosh një sektor, për dy vite nuk ndodh. Duhet diskutuar, 2 vite, 5 vite apo shtate. Për dy vite është e vështirë që klubet të deklarojnë pagat reale. 5 vite ose 7 vite është më e pranueshme. Le të flasim”./abcnews.al