Pandemia mbyll 20 % të lokaleve dhe restoranteve, rihapja me distancë nuk është efektive

schedule18:35 - 28 Shtator, 2020

schedule 18:35 - 28 Shtator, 2020

Nga Erblina Mile

Rihapja e lokaleve dhe bareve në ambiente e brendshme duke krijuar një distancë prej 2 metrash nuk është efektive.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj deklaron se më së shumti penalizohen restorantet familjare të cilat kanë pak tavolina.

Ky biznes është ndër më të prekurit në vend nga pandemia ku rezulton se rreth 20 % e subjekteve janë mbyllur.

Sipas të dhënave të INSTAT në fund të 2019 në vend operonin 16 mijë e 300 bare dhe restorante, dhe prej tyre janë mbyllur 3200.

“Një lokal me 20-40 metra katrorë u bie të punojë me dy apo tre tavolina dhe kjo nuk bën sens, as të mbash punëtorët në punë, as të paguash furnitorët dhe as të kesh fitim. Deri më sot nga sa informacion kemi ka një rënie  dhe 20 % thuajse janë mbyllur”, tha ai.

Ndërkohë  përsa i përket fitimeve ato rezultojnë më pak se gjysma nëse  i krahasojmë me ato të një viti më parë.

Pra nëse marrin shembull një  restorant që fitonte rreth 5 mijë euro në muaj tashmë ai fiton vetëm 2 mijë e 500 euro. Enri Jahaj shprehet se shumë lokale dhe restorante po punojnë për mbijetesë ndërsa më e rëndë situata paraqitet për klubet e natës dhe për muzikën tallava.

“Lokalet e natës janë më në vështirësi pasi nuk kanë punuar asnjë edhe një ditë. Ende nuk ka asnjë njoftim se kur do të hapen”, tha ai.

Për të nxitur konsumin  dhe për të mbështetur këtë kategori subjektesh përfaqësuesi  i  bareve dhe restoranteve sugjeron që qeveria të subvencionojnë   qytetarët ose të ofroj lehtësi fiskale siç është vepruar në Angli apo në Itali./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!