Çifti i të moshuarve Fran dhe Bardhe Krosi nga fshati Bushnesh, një zonë që ndan Kurbinin me Krujën, që nga tërmeti i 26 nëntorit ku kanë humbur banesën e tyre, jetojnë në mjerim të plotë në një çadër që nuk përmbush asnjë kusht normal jetese, pasi burrë e grua janë të moshuar dhe të sëmurë.
Kreu i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi u ndal në këtë familje që edhe pse ka kaluar 10 muaj nga tërmeti, askush nuk i ka ndihmuar dhe nuk kanë marrë asgjë nga shteti.
Në fjalën e tij me Këlliçin, Frani shprehet se e vetmja gjë që kërkon është një shtëpi me dy dhoma sa për të futur kokën, pasi i ftohti dhe shiu që ka nisur iu rrezikon jetën në çadër.
Fran Krosi: Unë jam Fran Nikoll Krosi prej Bushneshti e prej Kruje, rrethit të Krujës.
Belind Këlliçi: Ka ardhur kush nga shteti?
Fran Krosi: Jo për Zotiin, rob i gjallë shteti, jo!
Belind Këlliçi: A s’ka ardh kush me ju pyt?
Fran Krosi: Jo, jo për Zotin! Për Zotin jo!
Belind Këlliçi: Po nga bashkia?
Fran Krosi: Asnjë rob i gjallë! Asnjë!
Belind Këlliçi: Po a ju kanë ndihmuar deri tani, ju kanë dhënë ndonjë ndihmë?
Fran Krosi: Asnjë, asnjë ndihmë, asnjë send nuk na kanë dhënë neve të dyve pleq.
Belind Këlliçi: Po ky shiu i madh që ra, si ju gjeti? Në çadër?
Fran Krosi: Në çadër, po në çadër, në çadër besoj!
Belind Këlliçi: Po s’ka ardh kush me ju pyt? Se dimri përpara, erdhi dimri…
Fran Krosi: Jo për Zotin! As para, as mbrapa nuk ka ardhur rob i gjallë me na pyt, as me vrejt, asnjë send.
Belind Këlliçi: Po ju 80 vjeç keni 10 muaj që rrini në çadër?!
Fran Krosi: Për Zotin po. Për Zotin!
Belind Këlliçi: Po çfarë prisni të ndodhi tani?
Fran Krosi: Unë nuk e di se çfarë presim! Ne presim me shku tek gropa. Veç me shku tek gropa, atë presim! Unë për vete po një herë, se jam i sëmurë, me diabet, me tension, me zemër. Unë për vete jam me ilaçe. Edhe kjo e vjetër. Ne presim me shku tek gropa!
Belind Këlliçi: Me çfarë të ardhurash jetoni?
Fran Krosi: Të ardhura veç pensionin. Pensionin kjo, pensionin unë, asnjë të ardhur tjetër, asnjë të ardhur! Veç pensioni i kësaj, pensioni im, me ta kalojmë. Jena shumë keq, shumë, shumë keq, deri aty në grad të fundit. Veç të më bëjnë shtëpinë, nuk i du gjë tjetër shtetit. Unë, të më bëjnë shtëpinë siç e kam pasur, mor të paktën dy dhoma të rrimë. Mos të rrimë në çadër. Mos të rrimë në çadër!/abcnews.al