Astrit Patozi: Nuk do të gënjesh njeri me pragun 1 përqind

schedule19:53 - 27 Shtator, 2020

schedule 19:53 - 27 Shtator, 2020

Kreu i Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, ato që lidhen me Kodin Zgjedhor, për të cilin përplasen palët.

Në një koment të gjatë në rrjetet sociale, Patozi i drejtohet kryeministrit Rama duke thënë nuk do të gënjejë njeri me pragun 1 përqind.

“Është fare e qartë për këdo se Edi Rama po kërkon të përforcojë regjimin e diskretituar të kryetarokracisë, në ditën më të zezë të qeverisjes së vet dhe në kulmin e rënies së aksioneve për partitë e vjetra në Shqipëri. Me ruajtjen e listës së mbyllur, praktikisht ai e ka blinduar pushtetin e vet dhe të Lulzim Bashës, duke i dhënë edhe më shumë kredite secilës parti dhe secilit kryetar, për t’u konsideruar si qendrat e vetme të gravitacionit politik në Shqipëri”, shkruan Patozi.

Komenti i plotë nga Astrit Patozi:  

NUK DO TË GËNJESH NJERI ME PRAGUN 1 PËRQIND

Me sa po kuptohet “Rilindja” është e vendosur për ta mbajtur në këmbë formulën e ndyrë të mbajtjes mbyllur të listës, duke bërë sikur e ka hapur, thjesht që të përligjë rënien e koalicioneve në formën klasike, siç kanë qenë deri sot.

Ndërkohë që do të shtiret këto ditë sikur po sakrifikon shumë, duke pranuar pragun kombëtar 1 përqind, si një lëshim të madh për opozitën në parlament.

Por e ka kot, sepse nuk do të gënjejë askënd, si brenda, ashtu edhe jashtë sallës së Kuvendit, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Dhe aq më pak do t’ia dijë njeri për nder gjoja kompromisin për uljen e pragut, sepse e kupton edhe bufi që është taktikë djallëzore për të shpërqëndruar vëmendjen e publikut nga problemi real.

Është fare e qartë për këdo se Edi Rama po kërkon të përforcojë regjimin e diskretituar të kryetarokracisë, në ditën më të zezë të qeverisjes së vet dhe në kulmin e rënies së aksioneve për partitë e vjetra në Shqipëri. Me ruajtjen e listës së mbyllur, praktikisht ai e ka blinduar pushtetin e vet dhe të Lulzim Bashës, duke i dhënë edhe më shumë kredite secilës parti dhe secilit kryetar, për t’u konsideruar si qendrat e vetme të gravitacionit politik në Shqipëri.

Por tek e fundit, Lulzim Bashën, nuk ke pse ta fajësosh sot, sepse formalisht nuk ka ndonjë rol për të luajtur. As ka paraqitur ofertë dhe, as ka vota për të dhënë që ai palacollëk të kalojë. Edhe pse mund të jetë duke fërkuar duart në heshtje, duke pritur me padurim ditën që “Rilindja” ta miratojë në parlament draftin, fiks ashtu siç e ka shkruajur dhe e ka paraqitur Damian Gjiknuri.

Madje atij i takon edhe të hiqet si i mërzitur dhe është në të drejtën e e vet edhe të akuzojë Edi Ramën si autorin e vetëm të një Kodi Elektoral  tërësisht të njëanshëm, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve. Pavarësisht, se ajo mund t’i interesojë, madje edhe pak më tepër se vetë Edi Ramës. Sepse është një bonus, që i vjen dhuratë nga kampi i “armikut”. Është si ato golat në fushë kundërshtare, që kanë vlerë të dyfishtë.

Por edhe perspektiva e Kodit Zgjedhor duket e zymtë dhe, me sa kuptohet, ajo poshtërsi politike dhe juridike kundër interesit të Shqipërisë do të miratohet, ndoshta brenda kësaj jave, prapëseprapë nuk mendoj se zullumi do të triumfojë. Sepse përgjegjësit e këtij hapi domethënës prapa nuk kanë llogaritur reaksionin e qindra e mijëra shqiptarëve, që janë neveritur nga kjo politikë primitive prej disa dekadash, madje edhe nga aleancat e “qelbësirave” të secilës palë.

Dhe e vetmja mënyrë që ata ta shfryjnë dufin e zemërimit të tyre dhe mundësia e vetme për t’u përfaqësuar si asnjëherë tjetër më parë, do të jetë 25 prilli. Qoftë kjo edhe me një shkallë vështirësie më shumë, që mund të vijë prej mbajtjes mbyllur të listave, përmes trukut të pistë të Edi Ramës.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!