Ndërsa vendi jonë është në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, deputeti gjerman njëkohësisht dhe kryetar i komisionit për çështje europiane në Bundestag, Gunter Krishbaum, deklaroi se është ende herët për këtë hap.
Kryetari i Komisionit për çështje evropiane të Bundestagut, Gunther Krichbaum deputet nga radhët e CDU-së, me anë të një statusi në profilin e tij në Facebook ka shpërndarë intervistën e tij më të fundit për Velt, ku flet për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai shprehet se është ende shumë herët që të hidhet ky hap dhe se Brenda koalicionit qeverisës gjerman duhet të merret një vendim unanim për Shqipërinë, para verës. Krishbaum thotë qartë se për momentin është kundër fillimit të negociatave të pranimit me Shqipërinë. Kricbaum shton se megjithëse Shqipëria ka nisur reforma të shumta, për shembull në gjyqësor, ato duhet të zbatohen tërësisht. Kjo vlen në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili shpesh arrin në qarqet më të larta të qeverisë, thekson ai.
Intervista e tij në prestigjozen gjermane është titulluar: Një pyetje e ndërlikuar për koalicionin e Merkelit, duke lënë të nënkuptohet se në rradhët e koalicionit qeverisës në Gjermani ka përçarje për sa i përket asaj nëse BE duhet të negociojë me Shqipërinë në muajin qershor. Krishbaum gjithashu është shprehur edhe kundër Maqedonisë. Ndërsa Majkëll Rot i socialdemokratëve gjermanë në një prononcim për edicionin e së dielës së “Di Velt” ishte shprehur se hapja e negociatave të pranimit në BE “do të ishte një sinjal inkurajues për njerëzit, veçanërisht për të rinjtë në Shqipëri dhe Maqedoni”.
Brenda kolaicionit të drejtuar nga Merkel, njëra palë mendon se para zgjedhjeve europiane në maj të 2019-ës, do të ishte mirë që europianët të pyeteshin nëse janë dakord me zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian. Ndërsa pala tjetër mbështet idenë se Shqipërisë dhe Maqedonisë duhet t’i jepet një perspektivë. Dy palë të kundërta të cilat duhet të arrijnë sa më shpejt një qëndrim të përbashkët.
Kancelarja Merkel deri tani nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar, edhe pse ka refuzuar zërat që sugjerojnë se Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia do të jenë vende anëtare deri në 2025-ën Merkel u shpreh se nuk kishte aspak besim te kjo datë. Qeveria gjermane është e vetëdijshme se Bashkimi Europian aktualisht është në pozicion mbrojtjeje për shkak të Brexit dhe qeverisë së re populiste të Italisë. Por janë të shumtë ata që ruajnë kujtime jo të mira nga anëtarësimi i shpejtë të Bullgarisë dhe Rumanisë. Mundësia më e madhe është ajo që negociatat të nisin pas zgjedhjeve europiane, përfundon artikulli. /abcnews.al