Kuvendi rihap garën për një vend vakant në Kushtetuese, afati dhe kriteret

schedule16:46 - 23 Shtator, 2020

schedule 16:46 - 23 Shtator, 2020

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi sot se ka rishpallur vakancën duke hapur procedurën e aplikimit për një vend në Gjykatën Kushtetuese të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të Fatos Lulos, i cili u shkarkua nga detyra nga vettingu në 17 korrik 2018. Të interesuarit për vendin e lirë duhet të paraqesin dokumentet brenda datës 13. 10.2020 në zyrën e protokollit të Kuvendit. Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 4 anëtarë duke qenë akoma jashtë funksionimit.

Kushtet për t’u zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese

v  Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

–         të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

–         të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

–         të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

–         të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

–         të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

–         të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

v  Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

–         të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i  së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

–         të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

–         të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

v  Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:

–         vjetërsisë në profesion;

–         përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;

–         kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;

–         treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;

–         ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;

–         informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.

v  Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

–         Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant;

–         Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);

–         Fotokopje të kartës së identitetit;

–         Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

–         Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

–         Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.  Formulari gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 13. 10.2020 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën:

Kuvendi i Shqipërisë, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë.

Lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. db/Abcnews.al