Sekreti, sinqeriteti i tepërt dhe ribashkimi me Rrocën: Rrëfehet Kristal Abazaj

schedule14:46 - 22 Shtator, 2020

schedule 14:46 - 22 Shtator, 2020

Kristal Abazaj dhe Eduart Rroca do të jenë sërish në një ekip. Sulmuesi anësor është transferuar në Turqi, aty ku do të luajë me Istanbulspor. Vetë Abazaj tregohet i sinqertë, kur e thotë që më parë nuk është se do kishte dashur ta bënte një lëvizje të tillë.

“Ndihem mirë për zgjedhjen e bërë dhe shpresoj të kem bërë të duhurën. Po të më pyesnin në fund të kampionatit, kur isha me Kukësin, për Ligën e Dytë turke normalisht që nuk do të isha dakord. Sinqerisht kam ndërruar mendim kur pashë projektin e tyre.

U ula me presidentin, fola me trajnerin dhe kuptova se sa shumë dëshironin që unë të isha pjesë e këtij projekti. Nuk m’u desh shumë të vendosja, edhe pse kishim 3-4 ditë që po bisedonim. Nuk ishte e vështirë të gjenim akordin, duke parë futbollistët që kishin afruar”, thotë Abazaj për Supersport.

Sa i takon objektivit të klubit, sulmuesi shton: “Duke parë lojtarët që janë afruar, mendoj se objektivi është ngjitja në Superligë. Por të mos nxitohemi, t’i marrim ndeshjet një e nga një”. Tek Istanbulspor Abazaj gjen Rrocën, me të cilin ishte vjet te Kukësi dhe më parë e ka pasur shok skuadre edhe te Luftëtari ku të shpërthyen dhe u bënë të njohur.

“Pas dy viteve së bashku te Luftëtari, u takuam sërish tek ekipi i Kukësit. U bënë tre vjet që luajmë bashkë. Jam shumë i lumtur që gjej Rrocën, pasi si për mua ashtu dhe për të është mirë dhe na ndihmon në përshtatjen me ekipin. Shpresoj te kemi suksesin që kemi patur në Shqipëri dhe të ndihmojmë ekipin që të arrijë objektivat”.

“Ofertat?Në këtë merkato ka patur shumë interes për mua, por unë kam qenë i qetë. Menaxheri im është marrë me këtë pjesë. Gjithsesi, kur ka interes ndihesh i vlerësuar. Do të doja të zbuloja një sekret: unë në Turqi u nisa për diku tjetër e përfundova diku tjetër. Zoti paska dashur që të jem pjesë e Istanbulsporit”, përfundon Abazaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!