Një grua e cila dyshohet se ka dërguar një letër që përmbante helmin ricin në Shtëpinë e Bardhë u arrestua nga autoritetet, sipas zyrtarëve në SHBA. Sipas CNN, gruaja mbante një pistoletë ndërsa u ndalua nga autoritetet amerikane.
Javën e kaluar, autoritetet kapën një paketë ricin e cila ishte dërguar në Shtëpinë e Bardhë. Një zyrtar ka deklaruar se dyshohet se pakoja është dërguar nga Kanadaja, ndërsa prania e ricinit u konfirmua pas testeve nga FBI. Sakaq Byroja Federale e Hetimit dhe Shërbimi Sekret po hetojnë për të zbuluar se si është vendosur kjo paketë.
“FBI-ja dhe partnerët tanë të Shërbimit Sekret të SHBA-së po hetojnë një letër të dyshimtë nga një strukturë postare e qeverisë amerikane”, deklaroi FBI disa ditë më parë, duke shtuar se deri më tani nuk ka rrezik për sigurinë publike.
Ricin është një përbërje toksike që është përdorur në komplotet terroriste. Mund të përdoret në formë pluhuri ose acidi. Ricin shkakton të përziera, të vjella dhe gjakderdhje të brendshme në stomak dhe zorrë, duke dëmtuar mëlçinë, shpretkën dhe veshkën gjithashtu mund të shkaktojë vdekje për shkak të dëmtimit të sistemit të qarkullimit të gjakut. s.ba/abcnews.al