Propozimi i PS, Meta: Hapini listat siç premtuat, ose largohuni

schedule10:32 - 20 Shtator, 2020

schedule 10:32 - 20 Shtator, 2020

Ilir Meta e përmbushi detyrën e tij kushtetuese si President, pasi hodhi firmën mbi dekretin që përcaktoi zgjedhjet parlamentare të dielën e 25 prillit të vitit të ardhshëm.

Por nga kjo e premte, kur socialistët prezantuan draftin e tyre për hapjen e listave dhe formimin e koalicioneve, Ilir Meta është angazhuar në një betejë të re politike me shumicën. Duke e cilësuar të pasinqertë propozimin e Partisë Socialistë për hapjen e listave, kreu i shtetit i ka kërkuar shumicës të mos shkelë marrëveshjen e nënshkruar me ndërkombëtarët.

“Çdo manovër mashtruese që u heq të drejtën qytetarëve të zgjedhin vetë edhe deputetët, siç ju premtua, vetëm me qëllimin për të prishur në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e 5 Qershorit, do të ndëshkohet fort nga të gjithë qytetarët që prej 12 vitesh kërkojnë deputetë e jo kukulla kryetarësh. Mos kini frikë nga hapja e listave! Hapni listat ose largohuni,” shkroi Meta në një postim të tijin në Facebook.

Maxhoranca dhe opozita braktisën tryezën e Këshillit Politik të Premten pasi nuk gjetën konsensus për t’i kërkuar ODIHR një ekspertizë më të thelluar mbi formulën e koalicioneve, teksa socialistët kanë deklaruar se edhe të vetëm do ta kalojnë brenda 30 shtatorit draftin e tyre në parlament. /abcnews.al/