Formula për listat, Rama: Mund ta diskutojmë, presim opozitën, por ta harrojë se mund ta pengojë

schedule16:59 - 19 Shtator, 2020

schedule 16:59 - 19 Shtator, 2020

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas akuzave nga opozita mbi formulën që paraqiti shumica socialiste për hapjen 100% të listave, që në fakt fituesit i caktonte kryetari. Nga Gjermania, kreu i shumicës socialiste u shpreh i hapur për diskutim të formulës, kur tha se cdo propozim është i diskutueshëm.

Për këtë arsye ai ftoi opozitën jashtë parlamentit, PD-LSI që të lënë bojkotin dhe të rikthehen në Këshillin Politik duke i paralajmëruar se nuk i presin gjatë. Nuk ka kohë për të humbur, vijoi më tej kryesocialisti duke theksuar se vonesa rrezikon edhe angazhimin për identifikimin elektronik në zgjedhjet e 25 prillit të 2021.

Propozimi i referohet një modeli që e kanë disa vende demokratike që përdorin listat e hapura, cdo propozim është i diskutueshëm. Uroj që opozita jashtë parlamentit mos të humbasë kohë, se koha nuk pret, votimi i ligjit zgjedhor është vetëm hapja e një procesi, ku më pas duhet të zbatohet.

Në ligjin zgjedhor kemi edhe angazhimin për identifikimin elektronik, sa më shumë kohë humbet aq më pak bëhet e mundur implementimi i këtij sistemi. Opozita është e mirëpritur që të japë alternativa, por që të pengojë procesin sikur e ka zakon duhet ta harrojë, nuk do të presim në pafundësi” tha Rama.

Por cila ishte formula e PS-së që solli kundërshtimin e PD-LSI-së, por edhe opozitës brenda parlamentit? Abc News zbardhi formulën e propozuar nga kryeministri Edi Rama për Kodin Zgjedhor, ku sipas tij lista hapen 100 %, por me një kleçkë, ku fituesit në fakt i “cakton” kryetari i partisë në varësi të renditjes në listë (lexo këtu të plotë)./ db/Abcnews.al