Në takimin e fundit elektoral jashtë vendit, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 24 Qershorit, presidenti turk Erdogan në Sarajevë, u bëri apel turqve të pushtojnë parlamentet europiane, në një sfidë të hapur ndaj Bashkimit Europian.
“Tregoni forcën tuaj para gjithë botës”, urdhëroi presidenti turk Erdogan 15 mijë mbështetësit e mbledhur në Sarajevë për një takim shumë të përfolur në zemër të Ballkanit dhe Europës.
Përgjigja ishte një numër i madh flamujsh turq dhe fotografi të mëdha të tij në emër të mbrojtësit të myslimanëve në botë. Erdogan u prit në Sarajevë si një sulltan, i cili tashmë sfidon hapur Bashkimin Europian.
Recep Tayyip Erdogan: “Vende europiane që mendojnë se janë djepi i demokracisë kanë dështuar”.
Presidenti turk ashpërsoi dhe më shumë tonin duke thënë se forca me të cilën Europa sulmon vendin e tij është treguesi më i rëndësishëm i madhështisë së Turqisë.
Recep Tayyip Erdogan: “Jeni ju që duhet të hyni në parlamentet e tyre në vend të atyre që kanë tradhtuar kombin tonë”.
Shtoi ai duke iu referuar deputetëve turq në Bashkimin Europian që nuk e duan Erdogan. Dhe në fund, ai kërkoi mbështetje të gjerë për realizimin e ëndrrave të përbashkëta.
Recep Tayyip Erdogan:“Ka nga ata që duan të ndalojnë Turqinë, por ne në zgjedhjet e ardhshme do e çojmë atë dhe më përpara. Dhe për këtë arsye kërkojmë votën tuaj. Ka ardhur koha të bashkohemi.”
Turqit e diasporës erdhën të shumtë nga vende të ndryshme europiane për të qenë të pranishëm në takimin e vetëm jashtë vendit të Erdoan. Njeriu i fortë i Ankarasë zgjodhi zemrën e Ballkanit për të bërë për vete 3 milionë bashkëkombasit e tij që jetojnë në Europë. Një numër i konsiderueshëm votash për Turqinë e cila në 24 Qershor do të votojë për të rinovuar parlamentin. Objektivi i Erdogan është një fitore e padiskutueshme që do e lejojë të ketë dhe më shumë pushtet.
Shërbimet sekrete turke, një ditë para mbërritjes së Erdogan në Sarajevë, kishin sinjalizuar për rrezikun e një atentati ndaj tij. Erdogan takoi para mitingut Izetbegovië, përfaqësuesin mysliman të presidencës tre-palëshe boshnjake. Vetë Izetbegoviç, mik personal i Erdogan, iu përgjigj kritikave në vend kundër organizimit të takimit elektoral, duke thënë se nuk kishte asnjë problem pasi në vend do të vinte një lider i fuqishëm islamik, i cili mungonte prej kohësh. Erdogan premtoi se do të financonte një shumë të konsiderueshme në ndërtimin e autostradës Sarajevë – Beograd, e cila do të kushtojë 3.5 miliardë dollarë.
Serbë, kroatë dhe një pjesë e mirë e myslimanëve të Bosnjes e shohin propagandën e presidentit turk si shprehje të një strategjie neo-otomane. Partia e Erdogan, Drejtësi dhe Zhvillim, do të hapë shumë shpejt një seli në Sarajevë. Lideri i serbëve të Bosnjes, Mlorad Dodik, akuzoi Erdoan se po ndërhynte në çështjet e brendshme boshnjake. Por presidenti turk organizoi mitingun në Sarajevë, si vazhdimin e atij në Gjermani, Austri dhe Belgjikë, vende të cilat kishin ndaluar takime të tilla elektorale. /abcnews.al