Cungu: Mërzitje e madhe, të qetësohemi dhe përgatitemi për kampionatin

schedule21:20 - 17 Shtator, 2020

schedule 21:20 - 17 Shtator, 2020

Trishtimi i madh në kampin laçian pas eliminimit të dhimbshëm ndaj Hapoel Beer Sheva në Europa League. Bardhezinjtë po kryesonin deri në minutën e 90-të falë golit të Nwabueze, por miqtë nga Izreali realizuan dy herë në minutat shtesë, duke fituar 1-2.

Trajneri i ekipit kurbinas, Armando Cungu analizon ndeshjen në prononcimin e dhënë për Supersport, edhe pse e ka të vështirë të gjejë fjalët e duhura pas mënyrës së si erdhi disfata. Gjithsesi, shkodrani komplimenton lojtarët për ndeshjen dhe bën thirrje që kjo humbje të harrohet sa më shpejt.

Deri në minutën e 90-të ishim në avantazh, pavarësisht se ishim me një lojtar më pak. Duhet të ishim pak më të kujdesshëm në disa momente, duhet të ishim më të vëmendshëm. Dy ndërrime në pushimin e ndeshjes ishin të detyruara. Marku dhe Shehi shfaqën shqetësime.

U munduam që të bënim të pamundurën për t’i rikuperuar. Na u prishën ekuilibrat dhe alternativat nuk i kishim. Kundërshtari luftonte nga krahët. Nuk mund të fajësoj asnjë lojtar. Do t’i komplimentoj djemtë për lojën që kanë bërë. Është e vështirë të luash në inferioritet numerik. Jo gjithmonë ia del me 10 lojtarë.

Kishim edhe ne problemet tona, ritmi ishte i ulët në pjesën e parë. I vlerësuam më shumë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë besuam më tepër, krijuam situata, erdhi dhe goli.

Eliminimi i dhimbshëm? Mërzia është kudo, futbolli i tillë është, por nuk është fundi i botës.  Dëshira ishte për të kaluar edhe një tur, për të mirë të klubit dhe djemve, për të thyer një rekord. Ishim shumë afër, tragjike!

Duhet të mundohemi të qetësohemi, kampionati është në prag dhe duhet të përgatitemi për një sezon të vështirë. Klubi ka afruar lojtarë, nuk është stepur për të afruar lojtarë, por nuk është e lehtë të gjesh ata të duhurit. Shpresoj që mund të ketë ndonjë goditje tjetër në merkato“, deklaroi trajneri i Laçit. /abcnews.al