Maqedonia e Ilindenit është variant më i fundit për të cilin sipas mediave greke dhe maqedonase kryeministri grek Tsipras dhe ai maqedonas Zaev kanë rënë dakord. Por ky variant ka ngjallur reagime negative në të dy vendet.
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, informoi kryetarin e Demokracisë së Re, Mitsotakis për bisedën me homologun e tij maqedonas Zoran Zaev, me të cilin u fol për variantin e “Maqedonia e Ilindenit”, si emri më i pranueshëm, e që do të ishte dhe zgjidhja përfundimtare e negociatave që vijojnë prej vitesh mes Athinës dhe Shkupit.
Por për Demokracinë e Re, emri nuk është i pranueshëm sepse ka lidhje me krijimin e shtetit dhe kombin maqedonas, ku përfshihet edhe Selaniku. Sipas reagimit të kësaj partie, çdo përmendje e emrit të Ilindenit në emrin e shtetit fqinj, vërteton dhe fuqizon, bindjet nacionaliste të Shkupit.
Edhe për historianët maqedonas ky është një variant i papranueshëm pasi sipas tyre, “Maqedonia e Ilindenit” nuk është emri i duhur për përfaqësimin e shtetit në nivel ndërkombëtar. Historianët mendojnë se se opinioni u përgatit për një kohë të gjatë me një emër me përcaktues gjeografik, ndërsa tani kemi të bëjmë me përcaktues kohor.
Maqedonia e Ilindenit nuk është e pranueshme as për shqiptarët në Maqedoni, pasi një propozim i tillë bie ndesh me interesat e shqiptarëve. Për Denkon Maleskin, ish-ministër i Punëve të Jashtme në Maqedoni, propozimi më i mirë do të ishte “Maqedonia e Re”. Varianti më i fundit që po përmendet në mediat greke dhe maqedonase ka ngjallur shumë reagime negative në të dy vendet./abcnews.al