Vrau ish-kunatën me pushkë në sy të fëmijës, arrestohet Agron Tanushi! Ishte strehuar tek e motra

schedule13:40 - 16 Shtator, 2020

schedule 13:40 - 16 Shtator, 2020

Agron Tanushi, 31-vjeçari që vrau me dy plumba pushke ish-kunatën e tij Jetmira Hasani në sy të fëmijës së mitur është arrestuar nga uniformat blu në Lushnje.

Policia njofton se në momentin e arrestimit atij i është sekuestruar edhe arma me të cilën kreun krimin. Sipas uniformave blu ai është lokalizuar prej mëngjesit të sotëm, teksa fshihej në një lagje në Lushnje.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se Agron Tanushi ishte strehuar në shtëpinë e të motrës së tij. Menjëherë pas ngjarjes ai është larguar drejt Lushnjes. Pas kontrolleve ai nuk është gjetur në banesën e motrës. Uniformat blu kanë rrethuar zonën dhe kanë pritur që ai të shkojë në banesën e saj ku dhe e kanë vënë në pranga.

Në momentin e arrestimit, Tanushi ka pranuar krimin duke deklaruar se e ka kryer atë për shkak të konflikteve familjare. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në Bathore në banesën ku autori dhe viktima jetonin së bashku në kate të ndryshme. 34-vjeçarja Jetmira Hasani ishte divorcuar nga vëllai i autorit prej 4 vitesh dhe vazhdonte të jetonte në shtëpinë e tij.

Dyshohet se kanë qenë pikërisht konfliktet për shkak të pronësisë që kanë sjellë debate të vazhdueshme mes tyre, duke bërë që të dy të pajiseshin me urdhër mbrojtje.

Njoftimi i policisë: Vihet në pranga autori i vrasjes me armë zjarri të 34-vjeçares në Kamzë, Tiranë.  Sekuestrohet arma e zjarrit pushkë me të cilën autori kreu vrasjen.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, përdorjes së metodave speciale të hetimit dhe pamundësisë së fshehjes më gjatë autori i dyshuar i vrasjes ka rënë në prangat e shërbimeve të policisë së Lushnjës dhe të DVP Tiranë , pasi ishte i rrethuar pa asnjë mundësi  largimi apo fshehjeje të mëtejshëme.

Menjëherë pas  njoftimit të marrë për një ngjarje të ndodhur për shkak të marrëdhënieve familjare në orët e mbrëmjes të ditës së djeshme në Bathore, Kamzë, ku mbeti e vrarë me armë zjarri shtetasja  J. H, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.5, Kamëz kanë ushtruar kontrolle të pandërprera  si dhe kanë përdorur metodat proaktive për të bërë të mundur lokalizimin e  vendndodhjes së autorit.

Si rezultat i trysnisë së ushtruar nga ana e Policisë duke kryer kontrolle të shtuara e të pandërprera në dhjetëra objekte, banesa, hotele, dhe godina të braktisura, informacioneve të grumbulluara,  bashkëpunimit me familjarët, bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Lushnje  dhe falë metodave proaktive mëngjezin e sotëm u bë lokalizmi i vendndodhjes së autorit , i cili fshihej në një lagje në Lushnje.

Pas disa orë kërkimesh,  para pak minutash  autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi A. T., 31 vjeç, u vu në pranga  nga  shërbimet e  Komisariatit të  Policisë Lushnje dhe të DVP Tiranë që e kishin mbajtur të rrethuar zonën ku ishte lokalizuar vendndodhja e tij.

Ky shtetas si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta  ka vrarë me armë zjarri ish –kunatën e tij shtetasen  J. H., 34 vjeçe. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeve./m.v. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!