Thaçi kundër Hotit: Kuvendi t’i ndalojë të flasë për çështjen e Asociacionit në Bruksel

schedule13:05 - 16 Shtator, 2020

schedule 13:05 - 16 Shtator, 2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se hapja e temës së Asociacionit në Bruksel është gabim që po e bën kryeministri Avdullah Hoti.

Në një njoftim nga Zyra e Presidentit Thacit thuhet se diskutimi për Asociacion është temë e rrezikshme dhe cënon sovranitetin e vendit, ndërsa dikur Thaçi ka nënshkuar vetë një marrëveshje për Asociacon me komunat serbe.

“Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Marrëveshja për krijimin e asociacionit, ishte nënshkruar në vitin 2015, kur Thaçi ishte ministër i Jashtëm dhe ishte pjesë negociatave në Bruksel.

Ndërkohë, tani ai thotë se diskutimi për këtë çështje është instalim i “Republikës Srspka” në Kosovë.

Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë” , thuhet në njoftimin e Presidencës.

Thaçi kërkon nga Kuvendi që kryeministrit t’i ndalohet të flasë për tema të brendshme, që sipas tij janë të rrezikshme.

“Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!