Britania kërkon të ruajë miqësinë me vendet e Bashkimit Europian. Këtë e ka njoftuar vetë shefja e qeverisë së Londrës, Tereza Mej. Ajo gjithashtu kërkoi nga Brukseli një periudhë tranzicioni prej dy vitesh pas shkëputjes së plotë nga Bashkimi Europian në 2019.
“Britania e Madhe ka vendosur të largohet nga BE por kërkon të qëndrojë partner me vendet europiane në ekonomi, luftën kundër terrorizmit dhe në temën e emergjencës së emigracionit”. Këtë e ka thënë kryeministrja Tereza Mej gjatë një fjalimi të mbajtur në Firence të Italisë. Gjithashtu shefja e qeverisë britanike njoftoi se ka ndërmend të kërkojë nga Brukseli një periudhë tranzicioni prej dy vitesh pas daljes nga BE.
“Mbetet i palëkundur vullneti për të mbrojtur prosperitetin dhe sigurinë e fqinjëve europianë. Suksesi I BE është I rëndësishëm dhe në interes kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar”, theksoi Mej. Ndërsa më tej shtoi: “Mbretëria e Bashkuar është një ndër partnerët më të mëdhenj tregtar të Unionit Europian dhe BE-ja është partneri jonë kryesor tregtar, kështu që nuk është e nevojshme të vendosim taksa”.
Kryeministrja britanike tha se Londra nuk do të jetë më pjesë e tregut të përbashkët. “Nuk mendoj se mund të përfitojmë pas pasur detyrime. Nuk e nisim nga zero por duhet të arrijmë një marrëveshje për tregëtinë e lirë. Tereza Mej tha se Mbretëria e Bashkuar do të respektojë detyrimet e saj me BE deri në vitin 2020. Gjithashtu ajo kërkoi edhe arritjen e një marrëveshje në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve britanikë dhe europianë në dy vendet respektive.