Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se rihapja e temës në Bruksel për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, është një kthim prapa për Kosovën.
Në një konferencë për mediat Thaçi ka thënë se takimi i së enjtes në Bruksel, ndërmjet delegacionit nga Kosova dhe Serbia, është i rrezikshëm dhe siç u shpreh ai, “është agjendë e Serbisë”.
“Rihapja e çështjes së asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e ‘Republikës Serbe në Kosovë’. Për diçka të tillë mendoj se Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për asociacionin”, është shprehur Thaçi.
Thaçi tha se sa i takon krijimit të Asociacionit, gjithçka ka përfunduar në vitin 2013. Ai tha se edhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka sqaruar që gjithçka duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Në vitin 2015, Kosova dhe Serbia, arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni. Në tetor të po atij viti, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.e.su./abcnews.al