Në disa sektorë punonjësit shfrytëzohen në punë me shumë se përcaktimet në kodin e punës, pa përfituar shpërblime për orët shtesë.
Sipas të dhënave të INSTAT punonjësit e tregtisë, fabrikave dhe ndërtimit harxhuan në punë përkatësisht 46.6, 46.5 dhe 42.9 orë në javë më 2019, ndërkohë që kodi i punës përcakton 40 orë punë në javë, teksa çdo orë tjetër duhet të paguhet me pagë shtese.
Punonjësit e bujqësisë punuan 37.2 orë pune në javë më 2019, më pak se përcaktimet në kodin e punës. Por në këtë sektor puna është sezonale dhe kohën e mbjelljeve dhe vjeljeve bujqit punojnë me orë të zgjatura.
Në vitin 2019 të punësuarit në total punuan mesatarisht 41.7 orë në javë me një rritje 30 minuta më shumë se në vitin 2018.
Ndërsa të punësuarit me pagë punojnë më gjatë, përkatësisht 43.5 dhe 43.4 orë në 2018-n dhe 2019-n.
Administrata publike është ajo që e zbaton më shumë kodin e punës. Të dhënat e INSTAT tregojnë se orët mesatare javore të punës në shtet ishin 40.2 në 2019-n, më të ulëtat nga të gjithë sektorët, me përjashtim të bujqësisë. Në krahasim me 2018-n, administrata punon 0.7 orë në javë më pak. Punonjësit e shtetit janë më të privilegjuar edhe për ditët e pushimit zyrtar, ndërsa një pjesë e sektorit privat punon edhe në ditët e festave, apo dhe gjatë fundjavës.
Burrat punojnë më gjatë se gratë. Meshkujt punojnë 43 orë në javë, ndërsa femrat 39.7.
Por, kur bëhet fjalë për të punësuarit me pagë, femrat punojnë mesatarisht 42 orë në javë.
Aktiviteti ku gratë punojnë me orë më të zgjatura është prodhimi, me rreth 46 orë.
Nëse krahasohen të dhënat e Eurostat dhe INSTAT rezulton se Shqipëria është ndër vendet ku punohet më gjatë në Europë, me rreth 42-43 orë në javë. Në fakt i gjithë Ballkani punon më gjatë. Rekordin e mban Mali i Zi, me 44.4 orë në javë, Maqedonia (41.3), Serbia (42.3). Më shumë nga të gjithë punojnë turqit, me 46.4 orë.
Vendet e Bashkimit Europian punojnë mesatarisht më pak se 40 orë në javë.
Më pak në Europë punojnë holandezët, me 29.3 orë në vit.
Rekordin në Europë e mbajnë turqit, me mbi 46 orë në javë./Monitor