VIDEO/ PAOK-u i Mihajt eliminon Benfikën, festë edhe për Dinamo Kiev e Gent

schedule22:38 - 15 Shtator, 2020

schedule 22:38 - 15 Shtator, 2020

Dynamo Kiev, PAOK-u i Selanikut dhe Gent janë tre skuadrat që siguruan mbrëmjen e sotme kualifikimin në fazën “play-off” të Champions League. Ekipi ukrainas mposhti 2-0 në shtëpi AZ Alkmaar. Të dy golat e fitores së Dinamos u realizuan në pjesën e dytë, me Gerson Rodrigues dhe Mykola Shaparenko që ndëshkuan skuadrën holandeze.

Goli i parë erdhi pas një gafe të mbrojtjes së AZ, me sulmuesin nga Luksembugu që finalizoi falë një goditje të fortë. Dyfishimi erdhi katër minuta para fundit, teksa 21-vjeçari Shaparenko realizoi me kokë.

PAOK vijon të tregojë një formë shumë të mirë. Pasi eliminuan turqit e Besiktas, nënkampionët e Greqisë triumfuan edhe ndaj Benfikës. 2-1 për vendasit u mbyll sfida e luajtur në Selanik.

Pjesa e parë nuk prodhoi gola, teksa 45 minutat e dyta dhuruan shumë emocione. Dimitris Giannoulis finalizoi me gol një aksion shumë të bukur personal, ndërsa serbi Andrija Zivkovic i ardhur nga stoli, dyfishoi rezultatin në minutën e 75-të.

“Shqiponjat e Lisbonës” shkurtuan rezultatin në minutën e katërt shtesë me anë të Rafa Silva, por ishte tepër vonë për një tjetër gol. Enea Mihaj, i cili ishte ndër të paktët lojtarë të kombëtares që luajti mirë ndaj Lituanisë, e ndoqi ndeshjen nga stoli, duke mos u preferuar nga trajneri i PAOK.

Festë edhe për Gent. Skuadra belge mposhti 2-1 në fushën e saj austriakët e Rapidit të Vienës, duke qenë tani vetëm 90 minuta larg kualifikimit në grupet e Champions League për sezonin e ardhshëm. /abcnews.al

Champions League, raundi i tretë
Dinamo Kiev-AZ Alkmaar 2-0
(Rodrigues 49′, Shaparenko 86′)
PAOK-Benfica 2-1
(Giannoulis 63′, Zivkovic 75′ / R.Silva 90+4′)
Gent-Rapidi i Vienws 2-1
(Dorsch 36′, Yaremchuk (pen) 59′ / Demir 90+3′)