Mbrëmjen e sotme kryeministri Edi Rama zhvilloi një darkë pune me homologun grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë. Dy kryeministrat u shfaqën të qeshur, ndërsa në momentin e takimit ishin me maska dhe përshëndetjen e shkëmbyen me brryl. Në takim, kryeministri Rama u shoqërua nga drejtori i Komunikimit në Kryeministri Endri Fuga dhe ambasadorja jonë në Athinë.
Ndërsa në krah të Kyriakos Mitsotakis ishin ministri i jashtëm Nikos Dendias dhe ambasadorja greke në Tiranë. Mes shumë cështjeve që janë diskutuar mes palëve ka qenë edhe ajo e kufirit detar, ku Mitsotakis njoftoi pak ditë më parë se Athina do të zgjerohet me 12 milje në detin Jon, teksa në Tiranë shkaktoi një furtunë me akuza nga opozita, ndryshe nga Edi Rama, që e cilësoi si të bazuar në konventat ndërkombëtare.
Por si shkoi darka mes dy delegacioneve? Kryeministri Edi Rama bëri reagimin e parë duke e cilësuar darkë të bukur dhe falënderoi homologun e tij për mikpritjen.
“Athinë – Një darkë e bukur me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, që ofroi përzemërsisht mikpritjen e tij. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve janë busulla jonë drejt shkëlqimit të marrëdhënieve mes dy vendeve” shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare ndodhet në kryeqytetin grek për të marrë pjesë në konferencën e përvitshme të organizuar nga qeveria greke dhe “The Economist”./ db/Abcnews.al